Me konfirmimin e nëntë rasteve të reja pozitive me koronavirus në komunën e Gjilanit, ndër 14 rastet në total nga e gjithë Kosova, në këtë vend është paralajmëruar shtrëngim i masave për parandalimin e përhapjes së mëtutjeshme të pandemisë.
I pari i kësaj komune, Lutfi Haziri, përmes një postimi në Facebook, ka reaguar pas regjistrimit të rasteve të fundit, duke njoftuar se së shpejti do të del me konferencë të jashtëzakonshme.
Ai bën të ditur se të gjitha rastet pozitive të sotme janë si pasojë e kontakteve familjare të punëtores shëndetësore, e cila punon në një klinikë private, e që dje ka rezultuar si e infektuar me koronavirus.
“#Dita59. Nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike u njoftuam edhe për 9 raste të reja në Gjilan me #Covid19.
Rastet e reja janë si pasojë e kontakteve familjare të një punëtoreje të Gjilanit, e cila punon në një klinikë private, në Prishtinë.
Komiteti për menaxhimin e pandemisë dhe emergjencat civile e kanë nën kontoll situaten dhe ju lusim për lojalitet dhe bashkëpunim në mënyrë që ta përballojmë situatën.
Fatkqeësisht, kësaj here burim i infeksionit është një punëtore e shëndetësisë e jo burim tjetër nga qytetarët.
Është domosdoshmëri që t’i shtrengojmë masat pas rasteve të fundit. Për këtë, pas pak ju njoftojmë përmes konferencës së jashtëzakonshme!”, ka shkruar Haziri.







