Pas gjysmë ore vonesë, deputetët mblidhen për të votuar buxhetin e vitit 2021

Në Kuvendin e Kosovës sot zhvillohet një nga seancat më të rëndësishme, ajo ku pritet të votohet projektligji për buxhetin e vitit 2021, shkruan ballkani.info

Ani pse seanca parashihej të fillonte në ora 11:00, por nga mungesa e deputetëve fillon me gjysmë ore vonesë.

Ndryshe mbrëmë shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arben Gashi, ka bërë të ditur javën e kaluar se seanca plenare është thirrur me kërkesë të më shumë se 40 deputetëve.

Lidhja Demokratike e Kosovës kërkon miratimin e buxhetit para mbajtjes së zgjedhjeve të reja parlamentare, pasi Kushtetuesja vendosi se vota e deputetit Etem Arifi për zgjedhjen e Qeverisë Hoti në qershor ishte e pavlefshme.

Thirrje për votim të buxhetit dhe marrëveshjeve ndërkombëtare deputetëve u kanë bërë edhe kryeministri në detyrë Avdullah Hoti dhe shefi i GP të LDK-së Arben Gashi.

Ndërkohë, Partia Demokratike e Kosovës ka bërë të ditur se do të votojë pro miratimit të buxhetit.

Duhet përkujtuar që më 26 dhjetor të vitit të kaluar në Kuvend u zhvillua seanca konstituive e legjislaturës aktuale, kurse një vit më vonë ,saktësisht sot deputetët po mblidhen ndoshta edhe për herë të fundit për të votuar buxhetin e vitit të ardhshëm 2021.