Pas gati 3 muaj, ky shtet thyen rekordin me raste të reja COVID-19 brenda një dite

Republika e Çekisë, sipas raportit të publikuar nga autoritetet shëndetësore, ka shënuar numrin më të lartë rë rasteve të reja me koronavirus brenda një dite.

Ky shtet, theu rekordin me raste ditore, të cilin e kishte shënuar me 3 prill, ndërkaq tani, brenda 24 orëve Republika Çeke ka shënuar 305 raste të reja me të infektuar.

Rritja e numrit të rasteve në shtetin e Evropës Qendrore erdhi në kohën kur vendi po e fillon sezonin dymujor të pushimeve verore, shkruan “The Guardian”.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, nga rritja e numrit të rasteve më i prekuri është rajoni lindor, Karvina.

E premtja ishte dita e fundit e mësimit për shumicën e fëmijëve dhe studentëve në këtë shtet dhe familjet e tyre janë përgatitur për pushimet verore.

Shumë çekë pritet t’i kalojnë pushimet brenda vendit dhe të mos udhëtojnë jashtë për shkak të shqetësimeve rreth virusit dhe për shkak të kufizimeve në udhëtime.

Deri të shtunën në mëngjes, Republika Çeke i ka regjistruar 11,603 persona të infektuar me COVID-19 dhe 348 viktima. Ky vend ka popullsi prej 10.7 milionë banorësh.