Pas fjalëve “shko **je veten”, zonja e parë e ShBA-së pajtohet me nënpresidenten Harris

Nënpresidentja e Shteteve të Bashkuara, Kamala Harris, dhe zonja e parë e ShBA-së, bashkëshortja e presidentit Biden, Jill Biden, u përqafuan publikisht të premten gjatë një ceremonie në Shtëpinë e Bardhë. Ky gjest është kontrast pozitiv në krahasim me raportet mes zonjave para dy vjetëve.

Përqafimi i dy fytyrave të njohura të ShBA-së erdhi pak kohë pas publikimit të një libri të ri, në të cilin shkruhet se zonja Biden kishte thënë se Harris, që atëherë ishte kanidate për presidente brenda Partisë Demokratike, duhet “të shkojë ta **jë veten” pasi ia kishte sulmuar bashkëshortin me kritika gjatë debatit të parë të kandidatëve të Partisë Demokratike për zgjedhjet e vitit të kaluar.

Kur u pyet nga gazeta Daily Mail rreth fjalëve që ka shkruar për nënpresidenten Harris në librin e saj, zonja Biden nuk e mohoi këtë gjë, duke thënë: “Ajo ka qenë para dy vjetëve. E kemi lënë prapa atë (çështje).”

Foto: AP

Para se Joe Biden ta emëronte zonjën Harris nënpresidente, çifti Biden kishte reaguar ashpër ndaj kritikave të saj gjatë debatit që ishte zhvilluar në Miami të Floridas.

Sipas disa personave që kishin dëgjuar një paraqitje telefonike të zonjës Biden për përkrahësit e ngushtë të bashkëshortit të saj në atë kohë, Jill kishte thënë: “Me atë për të cilën ai kujdeset, për të cilën lufton, për të cilën përkushtohet, ti çohesh atje dhe e quan racist pa bazë? Shko **je veten”.

Zëdhënësi i zonjës së parë, Michael LaRosa, në lidhje me këto fjalë tha: “Shumë libra do të shkruhen për fushatën e vitit 2020, me ritregime të panumërta të ngjarjeve – disa të sakta, disa të pasakta. Zonja e parë dhe ekipi i saj nuk planifikojnë që ta komentojnë asnjërën prej tyre”.