Pas emërimit të Lajçakut, BE-ja kërkon rifillimin e bisedimeve Kosovë-Serbi

Përfaqësuesit e Bashkimit Evropian i kanë bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të rifillojnë dialogun.

Krerët e Bashkimit Evropian dhe krerët e misioneve të shteteve anëtare të BE-së në Beograd dhe Prishtinë përmes një deklarate të përbashkët, kanë bërë të ditur se e mirëpresin emërimin e Miroslav Lajçak si Përfaqësues Special i BE-së për bisedimet Kosovë-Serbi.

Duke e mirëpritur emërimin e Lajçakut, ata i kanë bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që ta rifillojnë dialogun.

Sipas krerëve të BE-së, emërimi i Lajçakut është edhe sinjal se BE-ja është duke u angazhuar fuqishëm në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

“Ne e mirëpresim emërimin e Miroslav Lajçak, si Përfaqësues i Posaçëm i Përfaqësuesit të Lartë/ Nënkryetarit të Komisionit Evropian Borell për Dialogun Beograd-Prishtinë dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor. Emërimi i tij sinjalizon angazhimin e fortë të BE-së në Dialog. Ne u bëjmë thirrje të dy palëve të angazhohen me Përfaqësuesin e Posaçëm të BE-së të sapoemëruar dhe të rifillojnë procesin pa vonesë”, thuhet në deklaratë.