Pas eliminimeve të kandidatëve, nesër mbahen zgjedhjet farsë të Vetëvendosjes

Prej shpalljes së zgjedhjeve të brendshme në Lëvizjen Vetëvendosje, eliminimi i kandidatëve është kryefjalë që ka mbizotëruar në ankesat e shumë aktivistëve të kësaj partie që shfaqën dëshirë për të garuar për pozicionet drejtuese në degë të ndryshme.

Me dhjetëra persona janë përjashtuar nga kandidimi, edhe pse ata ishin kontribuues të kësaj partie për vite të tëra. Kjo ka bërë që të drejtohen akuza ndaj Albin Kurtit, që sipas tyre ka harruar kontributin e madh të tyre sa herë që u kërkohej. Shumë prej tyre janë aktivistë që ende mbajnë gjurmët e lëndimeve nga protestat e dhunshme që i organizonte Kurti dhe Vetëvendosje, shkruan Demokracia.com.

Pakënaqësitë e tyre janë shprehur me dorëheqje nga partia dhe grisje të kartave të anëtarësimit.

Pas shumë eliminimeve, anëtarët e Vetëvendosjes do të votojnë nesër më 25 shtator në qendrat e tyre nëpër komuna, për të zgjedhur drejtuesit e rinj të partisë. Në pjesën më të madhe të tyre nuk do të kenë mundësi tjetër përveç që të votojnë vetëm një kandidat apo kandidate, pasi kundërkandidatët nuk ekzistojnë.

Albin Kurti, as simbolikisht nuk ka kundërkandidat. Ai është emri i vetëm në fletën e votimit për kryetar të Vetëvendosjes. Njëjtë është edhe me Albulena Haxhiun, kandidaten e vetme për Kryetare të Gruas në Vetëvendosje.

Edhe pse zgjedhjet me një kandidat nuk janë të ndaluara, ky është një mesazh i qartë se në partinë e Kurtit jo të gjithë lejohen të kandidojnë. /Demokracia.com/