Nënkryetari i parë i Lëvizjes Vetëvendosje, Besnik Bislimi ka konfirmuar se LDK nuk është zmbrapsur nga kërkesa për pozitën e presidentit, edhe pas takimit të sotëm, që po i lë edhe më tutje dy partitë pa arritur marrëveshjen.
Nga VV-ja pas këtij takimi iu kanë dërguar mesazh LDK-së një sondazh të kryer së fundmi që e nxjerrë me mbi 40% VV-në.
Përmes një shkrimi në Facebook, Besnik Bislimi ka thënë se para se të hynin në garën e gjashtë tetorit, e kishin pasur të qartë se nuk do të kishte një fitues me 51 deputetë, e se gara ishte e ngushtë.
“Para se të hynin në zgjedhjet nacionale të 6 tetorit, secili subjekt politik e ka patur të qartë prej fillimit se gara nuk do të prodhojë ndonjë fitues absolut që siguron shumicën prej 51 deputetësh. Njësoj siç e kanë ditur që gara do jetë tepër e ngushtë, mbase më e ngushta në historinë e shkurtër të demokracisë parlamentare në vend. E vetmja paqartësi ka mundur të ekzistojë rreth renditjes së subjekteve politike, sipas numrit të votave dhe fuqisë relative të secilës prej tyre. Në këtë garë të ngushtë, synimi i vetëm i subjekteve garuese ka qenë që të bëjë gjithçka të mundshme për të dalë qoftë edhe me 0.1% përpara të tjerave. Dhe për të arritur këtë synim, secili subjekt politik është fokusuar në tre elementë të ofertës elektorale: kandidatin për kryeministër, programin qeverisës dhe kualitetin e listës së deputetëve. Kjo nënkupton se secila parti politike e ka patur të qartë se kjo garë politike edhe pse ka qenë për kuvendin e Kosovës, në fakt fokusin primar e ka patur te implementimi i programit qeverisës që i bie tek ekzekutivi i vendit”, thotë ai.
Ai shton se diferenca në mes të subjekteve ka implikime edhe në formimin e institucioneve, por, radhitja e tyre, kushdo që del më i votuar, duhet të ketë qenë parësore.







