Pas dështimit me LDK-në, Kurti nesër pritet të takohet me përfaqësuesit e Listës Serbe VIDEO

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, nesër pritet të takohet me përfaqësues të Listës Serbe.

Ky takim mësohet se është planifikuar të mbahet në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Tema e diskutimit mes Kurtit dhe përfaqësuesve të Listës Serbe sigurisht se do të jetë vota e deputetëve serbë për krijimin e qeverisë, pasi që mandatari për formimin e Qeverisë tashmë i ka vetëm edhe 5 ditë afat kushtetues.

Qëndrimet e deritashme të Kurtit për Listën Serbe kanë qenë shumë të ashpra. Madje, para pak vitesh, ai i kishte quajtur ata edhe Listë Çetnike.
“Lista Serbe s’janë thjesht serbë, por ata janë çetnikë”, kishte thënë Kurti.
Po ashtu, pas zgjedhjeve Kurti kishte deklaruar zëshëm se nuk do të pranojë të bëjë fare marrëveshje politike me Listën Serbe, derisa për ministër nga komuniteti serb kishte thënë se do të bëjë ndonjë politikan serb që është lojal ndaj Republikës.

Megjithatë, jo shumë ditë pas kësaj deklarate, Kurti kishte ndryshuar fjalët, duke thënë se do ta pranojë ministrin serb që i propozon Lista Serbe, por assesi nuk do të bëjë marrëveshje politike me ta dhe nuk i do si pjesë të qeverisë së tij.

Por, tani kur afati i tij për ta formuar qeverinë është drejt fundit, Kurti si duket sërish ka ndryshuar mendje dhe tash është i gatshëm të negociojë edhe me Listën Serbe dhe të bëjë marrëveshje politike për t’i siguruar votat e deputetëve serbë për formimin e qeverisë.

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ditë më parë ishte kritikuar edhe për propozimin e tij për LDK-në, për rritjen e numrit të ministrive nga 12 në 14, pasi që nga kjo rritje do të përfitonte një ministri më shumë sërish Lista Serbe, e cila ka 11 vota në Kuvendin e Kosovës, sepse pjesë e saj është edhe përfaqësuesi i komunitetit goran, Adem Hodza.