Parashikohej lehtësimi i masave anti-Covid për festat e fundvitit në Britaninë e Madhe, por kjo nuk do të ndodhë pas zbulimit të një mutacioni të ri të COVID-19. Ekspertët thonë se bëhet fjalë për një variant që përhapet 70% më shpejt, por që deri më tani nuk rezulton më vdekjeprurës.
Vatra mendohet të jetë rajoni i Anglisë jug-lindore, por edhe kryeqyteti Londër, ku autoritetet kanë vendosur ashpërsimin e masave për frenimin e përhapjes. Ekspertët e OBSH-së thanë se së fundi janë zbuluar raste të të njëjtit mutacion edhe në Holandë, Danimarkë dhe Australi.
Kryeministri Boris Johnson u kërkoi britanikëve të shmangin sa më shumë daljet nga shtëpitë gjatë festave të fundvitit, për shkak të situatës së re ende të paqartë.
Disa vende të Europës përfshirë Gjermaninë, Belgjikën, Holandën, etj., kanë pezulluar transportin tokësor dhe ajror me Britaninë e Madhe deri në qartësimin e plotë të veçorive të mutacionit të ri.







