Derisa presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se dialogu për urën e Ibrit me Serbinë është shkelje e sovranitetit dhe Kushtetutës së vendit, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla është shprehur se një gjë e tillë do të ndodhë me koordinim me KFOR-in dhe përmes bisedave në Bruksel.

Sveçla ka deklaruar se ura e Ibrit do të hapet shumë shpejt, dhe se është i bindur që pas bisedimeve, korodinimit me KFOR-in dhe “bisedave në Bruksel”, do të ndodhë një gjë e tillë.

“Po bashkëpunojmë ngushtë me ndërkombëtarët, KFOR e EULEX-in, kemi takime me ambasadorët, në mënyrë që realisht qëllimet tona të drejta të realizohen dhe brengat e tyre të merren parasysh.

Po ura e Ibrit do të hapet shumë shpejt, unë jam i bindur që pas bisedimeve dhe koordinimit me KFOR-in, që është present aty, por edhe bisedave në Bruksel, shumë shpejt do të kemi një situatë të tillë.” – ka thënë ai për “DW”.

Në anën tjetër, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani së fundi ka dalë kundër përfshirjes së kësaj teme në dialogun me Serbinë, duke thënë se është shkelje e sovranitetit dhe Kushtetutës së vendit.

“Sa i përket temave, për atë duhet ta pyesni kryenegociatorin se për çfarë tema është dakorduar, sepse është thënë në publik se janë dakorduar për disa tema së bashku me zotin Lajçak. Mirëpo, po e përsëris, në qoftë se dikush bën dialog për urën e Ibrit me Serbinë, kjo është shkelje e sovranitetit e Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe në asnjë moment nuk është në interes të Kosovës që kjo temë të jetë pjesë e dialogut me Serbinë.” – është shprehur ajo.