Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti së fundmi në një intervistë për mediumin spanjoll “El Mundo”, ka folur për pritjet e tij nga Administrata e re amerikane, e Donald Trump.
Në veçanti ai duke mos iu referuar me emër i ka dhënë vlerësim Marrëveshjes së Washngtonit të vitit 2020, e nënshkruar kjo mes kryeministrit të atëhershëm Avdullah Hoti dhe presidentit amerikan, Donald Trump, për të cilën ai dhe partia e tij flisnin me tone të ashpra.
“Kosova ka një marrëdhënie të fuqishme bilaterale me Shtetet e Bashkuara, bazuar në përkushtimin e saj të vazhdueshëm për sovranitetin tonë dhe integrimin tonë në BE e NATO. Gjatë mandatit të Trump, marrëveshjet ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë kishin prioritet për ta promovuar stabilitetin, ndërsa administrate Biden fuqizoi institucionet demokratike në Ballkan. Edhe pse këto dallime reflektojnë ndryshime në qasje, nuk besoj që ShBA-të ndryshojnë qëndrimin e tyre ndaj Kosovës; ne punojmë ngushtë me Uashingtonin”, tha kryeministri Kurti.







