Pas ambasadorëve të rinj në Ballkan, SHBA dëshmohet edhe ushtarakisht me prezencë

Fundviti i kaluar dhe fillimi i vitit të ri kanë sjellë dinamizim dhe kthim të fokusit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Ballkanin Perëndimor. Këtij rikthimi i ka paraprirë caktimi i diplomatëve më të shquar amerikanë jo vetëm si emisar, por edhe në pozitat e ambasadorëve, duke përfshirë Kosovën, Serbinë, Bosnjë dhe Hercegovinë, etj.

Mirëpo, përveç angazhimit diplomatik, SHBA-të po angazhohen edhe me instrumentin ushtarak në rajonin tonë. Shembull i tillë është edhe përpjekja për ngritjen e komandës për operacione speciale të dislokuar në Shqipëri.

Komanda e Operacioneve Speciale të SHBA-së për Evropën (SOCEUR) ka vendosur të ngrejë në Shqipëri një shtab të bazës të Forcave të Operacioneve Speciale, me rotacion. Vendndodhja e komandës në Shqipëri do të sigurojë ndërveprueshmëri më të madhe me aleatët tanë shqiptarë, qasje të rëndësishme në qendrat e transportit në Ballkan dhe fleksibilitet më të madh logjistik.

Shqipëria dhe rajoni në përgjithësi, duke anashkaluar Serbinë, mbeten e aleate të forta të NATO-s dhe SHBA-të gëzojnë një marrëdhënie të fortë me qeveritë dhe Ministritë e Mbrojtjes, gjë që e bën vendosjen e një shtabi pararojë në këtë vend aleat një vendim të natyrshëm. Gjithashtu, kjo vendndodhje redukton në masë të madhe kohën e udhëtimit dhe rrit fleksibilitetin e operacioneve speciale dhe forcave konvencionale në rajon. Kjo nuk do të ishte e mundur pa mbështetjen e jashtëzakonshme të qeverisë shqiptare dhe profesionalizmin e ushtrisë shqiptare.

“Aftësia për të lëvizur dhe trajnuar me shpejtësi brenda Ballkanit, në bashkëpunim të ngushtë me forcat e tjera aleate dhe partnere, e bëri Shqipërinë vendndodhjen më të mirë për këtë përpjekje”, tha Gjeneral Major David H. Tabor, Komandant i Komandës së Operacioneve Speciale në Europë. “Shqipëria mbetet një aleate e rëndësishme e NATO-s dhe një partnere e çmuar e sigurisë, si në nivel rajonal ashtu dhe global”.