Pas 8 muajsh vonesë, Aliu emëron nënkryetarin e Shtimes

Kryetari i Komunës së Shtimes, Qemail Aliu, pas tetë muajsh ka arritur që të emërojë nënkryetarin e kësaj komune.

Sipas Ligjit për Vetëqeverisje Lokale, emërimi i nënkryetarit duhet të bëhet jo më vonë se 30 ditë. Mirëpo, Aliu pas rreth 240 ditësh ka arritur që të emërojë nënkryetarin e Shtimes, shkruan Demokracia.com.

“Kur posti i nënkryetarit mbetet i lirë, kryetari emëron nënkryetarin e ri, jo më vonë se tridhjetë ditë pas paraqitjes së postit të lirë”, thuhet në Neni 60, nënpika 60.4 të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale.

Nënkryetar i Shtimes është zgjedhur Faruk Beqa, i cili është edhe mik i kryetarit Qemajl Aliu.

Beqa në vitin 2005 gjatë kohës kur PDK ishte në krye të  Shtimes, me kryetar Fatmir Rashitin, ishte zgjedhur me vendim në postin e Drejtorit të Drejtorisë për Bujqësi dhe Zhvillim Rural.

Ndërsa, në zgjedhjet lokale 2021, ai ishte refuzuar nga KQZ, pasi që ishte i dënuar me vendim të formës së prerë dhe ishte larguar nga lista e LVV-së në Shtime.

“Çlirimtari” i Shtimes ishte kritikuar nga bashkëpartiakët e tij për vonesa edhe në emërimin e drejtorëve, duke e cilësuar si  “paaftësi” të kryetarit në kompletimin e ekzekutivit.

Ndërsa, opozita në Shtime disa herë në mbledhjet e Kuvendit kishte reaguar për moskompletimin e qeverisjes komunale. /Demokracia.com/