Brazil

Pas 38 vjetësh merr vesh se ka tre veshka

Një burrë nga Brazili, 38 vjeç, ka shkuar të konsultohet me disa mjekë pasi vuante nga dhimbje të forta në shpinë.

Mjekët i bënë një skanim CT të zonës së shpinës, në mënyrë që të diagnostikonin shkakun e dhembjes. Në skanim shihej se burri vuante nga hernia diskale. Por kjo nuk ishte diçka që tronditi mjekët, pasi është një sëmundje shumë normale.

Ajo që i la të befasuar ishte fakti që personi kishte tre veshka. Raporti thotë se veshka e majtë e burrit ishte normale, ndërsa ajo në të djathtë ishte shkrirë në dy veshka rreth zonës së legenit.

Raporti i shkruar në The New England Journal of Medicine (NEJM), tregon se ky person nuk kishte ndonjë problem me veshkat dhe të gjitha organet e tjera në trupin e tij duket se funksionojnë normalisht gjithashtu.

Kjo gjendje dyshohet të ketë lindur gjatë zhvillimit të embrionit. Por për shkak se nuk ka pasur simptoma të veçanta, pacienti nuk e ka ditur gjendjen e tij derisa e zbuloi rastësisht.