Partive politike u kërkohet transparencë në raportimin e financave

Zyra e BE-së dhe Misioni i OSBE-së në Kosovë organizuan punëtori të përbashkët me temë “Financimin e Partive Politike”, ku u kërkua nga partitë politike që të jenë më llogaridhënëse dhe transparente.

Riccardo Serri nga Zyra e BE-së tha se kanë për synim fuqizimin e procesit zgjedhor.

Ai përmendi edhe të gjeturat e auditorit në zgjedhjet e fundit dhe transparencën e partive politike, ku tha se nuk janë aspak inkurajuese. Sipas tij, transparenca dhe llogaridhënia e subjekteve politike janë shteg drejt BE-së.

“Në Kosovë ka nevojë urgjente për të kontrolluar financat politike, transparencat mbi donacionet dhe shfrytëzimin. Disa probleme që janë gjetur, sepse po të shohim raportet e auditorëve, dhe besoj se shumica e juve e keni bërë këtë, ato gjetje janë goxha brengosëse. Sipas auditorëve të pavarur që kanë kryer këto shqyrtime, partitë politike kanë dështuar të sigurojnë llogaridhënien, raportim të brendshëm, raportim financiar dhe përputhshmëri me kërkesat ligjore sa i përket financave të tyre”, ka thënë Serri.

“Shumë parti politike kanë dështuar që të zbulojnë apo nuk kanë raportuar sa duhet një pjesë të shpenzimeve të tyre. Dhe gjithashtu është shqetësuese që auditorët nuk kanë arritur të identifikojnë goxha shuma të mëdha të të hyrave të shumë partive politike. Shumë dokumente nuk kanë qenë të sakta ose adekuate. Prandaj është shumë mirë që auditimi ka ndodhur”, ka shtuar ai.

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka tha se ndryshimi i Ligjit Për Zgjedhjet ka rëndësi të veçantë. Sipas saj, ky ligj ka rëndësi edhe në luftimin e korrupsionit.

“Unë kisha dashur të potencojë rëndësinë që ka miratimi i këtij ligji. Ky ka qenë rekomandimi edhe i vëzhguesve ndërkombëtar pasi që vërejtja kryesore ka qenë ajo se partitë politike nuk kanë qenë transparente”, ka thënë Daka.

Ndërsa Isabelle Servoz-Gallucci, shefe e Zyrës së Këshillit të Evropës, tha se e veçanta e kësaj punëtorie është fakti se ka qenë kërkesë palës kosovare, për herë të parë drejtpërdrejt nga kryeministri.

Christopher Tuetsch, drejtor i Departamentit të Demokratizimit në OSBE pati një rekomandim për gjobat e vendosura nga KQZ dhe PZAP.

“Dënimet për partitë politike nuk duhet zbritur nga fondi që ndahet nga buxheti Kosovës apo ndonjë fond që ndahet për partitë politike, përndryshe ky nuk është dënim sepse ky paguhet nga shoqëria”, ka thënë ai.