Partit serbe

Partitë serbe në Veri frikësohen t’i bëjnë konkurrencë në zgjedhje “Srpskas” së Vuçiqit

Dushan Millunoviq, kandidat i pavarur nga Mitrovica e Veriut është i vetmi politikan serb nga kjo komunë që ka vendosur ta sfidojë kandidatin nga Lista Serbe, Milan Radojeviq në zgjedhjet për kryetar komune. Millunoviq është ish-anëtar i Iniciativës Qytetare SDP-Oliver Ivanoviq.

Kurse Radojeviq është ish-zëvendësministër i Punëve të Brendshme të Kosovës.

Në garë janë edhe kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës, Florent Azemi dhe Erden Atiq i Lëvizjes Vetëvendosje. Që të katërt tashmë kanë aplikuar për certifikim në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Afati për aplikim është mbyllur të premten, në orën 18:00.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme në këtë komunë janë përcaktuar për datën 29 nëntor, pasi vendi i kryetarit ka mbetur bosh që nga qershori, kur Goran Rakiq, u emërua zëvendëskryeministër i Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe ministër i Pushtetit Lokal.

‘S’ka kushte për zgjedhje të lira dhe fer’

Partitë e tjera dhe nismat qytetare serbe në Mitrovicën e Veriut thonë se po refuzojnë të marrin pjesë në një proces qa ka epilog të paracaktuar.

Alleksandar Jabllanoviq që drejton Partinë e Serbëve të Kosovës (PKS), tha për Radion Evropa e Lirë se nuk mund të marrin pjesë në zgjedhje pa u përmbushur kushtet për siguri për zgjedhje të lira. Sipas tij, fituesi është paracaktuar tashmë.

“Zgjedhjet po organizohen sikur të ishin sekret dhe që askush tjetër s’bën të marrë pjesë pos Listës Serbe”, tha Jabllanoviq.

Ai përmend faktin se në të kaluarën, anëtarë të partisë së tij janë përballur me pasoja vetëm për shkak se e kanë kundërshtuar Listën Serbe. E pavarësisht se kishte ushtruar padi, ai thotë se asnjë rast i vetëm nuk është zgjidhur deri më tash.

“Prandaj, duhet të sigurohet mbi të gjitha siguria dhe liria e votimit në këto zgjedhje dhe jo të përdoren metoda të tilla, ku përfshihet frikësimi, largimi i njerëzve nga puna, të cilët punonin për 10,20 apo 30 vjet, pastaj djegia e automjeteve, etj. Kjo dëshmon se ende s’ka siguri”, tha Jabllanoviq.

Një person voton në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 6 tetorit.

Një nga partitë kryesore opozitare në Mitrovicën e Veriut, në zgjedhjet e fundit lokale në 2017, ishte Iniciativa Qytetare SDP-Oliver Ivanoviq. Por, as ky subjekt që tashmë ka humbur liderin e saj Oliver Ivanoviq pas vrasjes më 16 janar të 2018-tës, nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet e 29 nëntorit. Ksenija Bozhoviq, nënkryetare e këtij subjekti, tha për Radion Evropa e Lirë se ‘ende nuk janë krijuar kushte për zgjedhje të lira’.

“Procesi nuk ka ndryshuar. Kanë kaluar tre vjet që kur kemi pasur një kandidat për kryetar komune. Për fat të keq, një vrasje politike ndodhi dhe nuk është sqaruar deri më sot”, tha Bozhoviq.

Në anën tjetër, nga Lista Serbe nuk deshën të komentojnë rrethanat rreth këtyre zgjedhjeve.

Përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile në Mitrovicën e Veriut vlerësojnë se mungesa e alternativave në fletëvotim është pasojë e lodhjes së qytetarëve. Veroljub Petroniq, studiues i çështjeve të sigurisë, i tha Radios Evropa e Lirë se kjo po ndodh për shkak të dy faktorëve.

“Faktori i parë, për demokracinë, që do të thotë lodhja e vetë votuesve, e cila ka çuar në mosinteresim. Në anën tjetër, kjo mungesë interesi është e lidhur thellësisht me qëndrimin e njerëzve se Mitrovica nuk iu intereson aq shumë për të ardhmen”, tha Petroniq.

Qytetarët serbe kërkojnë më shumë alternativa

Radio Evropa e Lirë ka biseduar më disa qytetarë të Mitrovicës së Veriut, të cilët në masë të madhe favorizojnë që në listën e votimit, të ketë më shumë kandidatë.

Zorica Jovanoviq nga Mitrovica e Veriut tha se pret të ardhme më të mirë për brezat e rinj, porse nuk i pëlqen fakti se do të ketë pak kandidatë.

“Duhet të ketë njerëz që janë të arsimuar, që kanë fakultet të përfunduar, të cilët e mbrojnë popullin. Duhet të jenë më shumë kandidatë. Më së paku gjashtë duhet të jenë. Por, ne si popull s’mund të bëjmë asgjë”, tha ajo.

Bashkëqytetarja e saj Verica Rakoçeviq vlerëson se qytetarët presin ndryshime.

“Por, nëse e kemi vetëm një kandidat, atëherë është çështje e kryer. Pse duhet të votojmë? Ai është i zgjedhur tashmë. Nuk jam shumë e kënaqur me njerëzit që e udhëheqin tash Mitrovicën e Veriut, nuk ka se çka të them tjetër”, tha Rakoçeviq për Radion Evropa e Lirë.

Një qytetar duke kaluar pranë barrierës që ndanë Mitrovicën jugore dhe veriore

Mungesa e alternativave për zgjedhjet për kryetar komune të Mitrovicës së Veriut, Petar Radoviqit, ia kujton kohën e monizmit.

“Këto nuk janë zgjedhje, kjo është diçka e para 30 vjetëve kur ka pasur vetëm një kandidat. Duhet të jenë të paktën tre kandidatë që të mund të zgjedhim”, tha ai.

Ndërkaq, Vera Meshtroviq thotë se pajtohet me çfarëdo vendimi.

“Pres Mitrovicë më të bukur që të duket tamam si qytet. Sido që ata vendosin, unë pajtohem me ta”, tha ajo.

Që nga themelimi i saj, më 2014, Lista Serbe ka udhëhequr me shumicën e komunave me shumicë serbe dhe ka fituar shumicën e ulëse në Kuvendin e Kosovës, sa i përket partive serbe.

Zgjedhjet në këtë pjesë të territorit të Kosovës organizohen nga Komisioni Qendror Zgjedhor, porse mbarëvajtja e procesit i lihet në përgjegjësi misionit në Kosovë të Organizatës për Bashkëpunim dhe Siguri (OSBE).

Sipas ligjit, zgjedhjet në këtë komunë është dashur të mbahen në korrik, por janë shtyrë për shkak të përballjes me pandeminë.

Zyrtarët nuk kanë përjashtuar mundësinë që këto zgjedhje të shtyhen sërish nëse rritet edhe më tej numri i të infektuarve.

Pos Mitrovicës së Veriut, edhe banorët e Podujevës do të votojnë me 29 nëntor për kryetarin e ri të komunës, pasi Agim Veliu e kishte liruar këtë pozitë për të udhëhequr me ministrinë e punëve të brendshme.