Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti bashkë me ministrin e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu priti në takim përfaqësuesit politikë të shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc.

Në këtë takim morën pjesë, Kryetarja e Komunës së Preshevës, znj. Ardita Sinani, Kryetari i Komunës së Bujanocit, Nagip Arifi, Kryetari i Partisë për Veprim Demokratik, Shaip Kamberi, Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Ragmi Mustafi, Zëvendëskryetari i komunës së Preshevës dhe njëherit Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare, Ragmi Mustafa, Kryetari i Unionit Demokratik Shqiptar, Naser Aziri, Kryetari i Lëvizjes për Progres Demokratik, Shqiprim Musliu, Kryetari i Alternativës Demokratike Shqiptare, Armend Aliu, këshilltari komunal i Medvegjës, Fehmi Beha, dhe anëtari i Këshillit për marrëdhënie ndëretnike në komunën e Medvegjës, Arben Ferati. Ndërkaq, pavarësisht ftesës, në takim nuk ishin Kryetari i Alternativës për Ndryshim, Shqiprim Arifi dhe Kryetari i Kuvendit të Preshevës, njëherit kryetar i Lëvizjes për Reforma, Sami Salihu.

Në këtë takim, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se shqiptarëve në Luginë po u bëhet padrejtësi e madhe sidomos me pasivizimin e adresave në këto komuna. Ai shtoi se ky është spastrim etnik administrativ që po sjell pasoja të mëdha.

Ndër të tjera, Kurti ka folur edhe për unitetin dhe bashkërendimin e subjekteve politike në Luginë të Preshevës, derisa situata dhe raportet mes partive politike në Kosovë është në situatë pothuajse më të keqe.

“Shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc u është bërë padrejtësi e madhe me pasivizimin e mbi 6000 adresave të banorëve shqiptarë në këto komuna, u tha në fillim të takimit. Kryeministri Kurti tha se ky është një spastrim etnik administrativ i heshtur e që po sjellë pasoja të mëdha. Kjo metodë e Serbisë, që iu mohoi të drejtën elementare e demokratike, atë të votës, solli edhe rezultate jo të kënaqshme. Andaj, këto zgjedhja as nuk ishin të lira e as demokratike, tha ai. Mungesa e unitetit dhe i bashkërendimit të subjekteve politike shqiptare në një front, ishte një faktor tjetër i dëmshëm për rezultatet zgjedhore, veçoi kryeministri.”, tha Kurti.

Ai në fund ka bërë thirrje gjithashtu që të ndalen përçarjet, duke përmendur këtu edhe tentimin për ta rrëzuar kryetaren e Preshevës, Ardita Sinani. Fjala e Kurtit s’shkoi në vend, pasi ajo u shkarkua sot nga Kuvendi Komunal atje.

“Pas shtypjes e diskriminimit që po u bëhet shqiptarëve nuk duhet mbështetur tentimet për acarim të shqiptarëve me njëri-tjetrin, pjesë e së cilës është edhe synimi për ta rrëzuar kryetaren e Preshevës, znj.Ardita Sinani. Përçarja e ndarja janë gabim dhe bëhen dëm, u shpreh kryeministri Kurti, teksa në fund theksoi se bashkëpunimi e rreshtimi i drejt ndaj mbrojtjes dhe avancimit të të drejtave të shqiptarëve nuk është vetëm nevojë por domosdoshmëri e kohës.”, tha Kurti.