Analizë/Ballkani.info

Partitë në kërkim të kauzave, zgjedhjet e parakohshme shumë afër

Nuk është më risi për askënd. Fushata paraelektorale tashmë ka nisur. Edhe pse asnjë subjekt politik nuk ka kauzë me të cilën do të hynte në zgjedhje, tashmë edhe vetë subjektet përbrenda koalicionit qeveritar janë në kërkim të formësimit të kauzave zgjedhore.

Madje, edhe prishja e raporteve ndërmjet presidentit Thaçi dhe kryeministrit Haradinaj, ndërlidhet me zgjedhjet.

Nisma Socialdemokrate e Fatmir Limajt dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e Ramush Haradinajt tashmë janë në garë për marrjen e prodhuesve vendorë.

Edhe taksa e vendosur së fundmi për produktet serbe ndërlidhet me zgjedhjet. Edhe dialogu me Serbinë dhe ‘pro et contra’ rreth tij, ndërlidhen me zgjedhjet që po trokasin tek dera, transmeton Ballkani.info.

Haradinaj si duket është pajtuar me faktin se qeverisja e tij nuk ka jetëgjatësi dhe ka filluar me të madhe të hiqet sikur kundërshtar i politikave të presidentit Thaçi, i cili ishte arkitekti i krijimit të qeverisë së tij.

Duke e parë pafuqinë e vet politike, Haradinaj tanimë ka filluar të bëhet i zhurmshëm dhe kundërshtues i vijës së ndjekur nga Thaçi, në njërën anë, kurse në anën tjetër me buxhetin shtetëror ka filluar ta kopjoj me të madhe strategjinë e Thaçit në vitin 2014, kur edhe ishin rritur pagat dhe pensionet për çdo kategori shoqërore.

Paga tanimë nuk ka kapacitet të rris, por Haradinaj boshllëqet e tjera po mundohet t’i plotësoj politikisht, sidomos duke bërë përpjekje që me qeverisjen e tij të prekë sa më shumë rastet sociale, sikurse edhe propozimi i fundit, le të themi stimulues për rritjen e natalitetit, me nga 10 euro për çdo fëmijë.

Në anën tjetër, Thaçi duket se është shumë i vendosur në përmbylljen e marrëveshjes përfundimtare me Serbinë, e cila thënë qartazi më së paku ju konvenon liderëve politikë të dalë nga lufta, të cilët kontributin e tyre në luftë e kanë pasur edhe adutin e tyre kryesor, përkundër që pothuajse asnjëherë nuk kanë garuar me platforma politike.

Fundja, po bëhen dy dekada që ka përfunduar lufta dhe është e turpshme që edhe pas 20 vjetësh, debatet më të mëdha që kemi në shoqëri ndërlidhen ende me luftën, me veteranë apo edhe me patriotë e tradhtarë.

Përfundimi i këtij kapitulli do ishte me shumë rëndësi jo vetëm për shtetin e Kosovës, por edhe për tranzicionin tonë shoqëror, me shpresë që një gjeneratë e re politikanësh do të futej së shpejti në tregun politik.

Megjithatë, edhe pse jo i heshtur në terren, më i heshturi në publik po vazhdon të jetë pasardhësi i Thaçit në PDK, Kadri Veseli.

Veseli po vazhdon të mbaj një pozicion në të shumtën e rasteve neutral politik dhe korrekt si partner koalicioni, porse ai po vazhdon të duket tërësisht i pafuqishëm përballë Thaçit, madje edhe në kontrollimin e vetë deputetëve dhe ministrave të PDK-së.

Ai taktizime po bën vetëm duke e sulmuar herë pas herë Lëvizjen Vetëvendosje, për të përçuar mesazhe të elektorati i PDK-së.

Kreu i PDK-së e kishte marrë me shumë zell reformën në PDK, por përveçse disa ndryshimeve të dukshme në rininë e këtij subjekti politik, reforma tjetër si duket do ta shpartalloj edhe më shumë strukturën shumëvjeçare të saj.

Në rast të arritjes së marrëveshjes përfundimtare me Serbinë, padyshim se PDK-ja do ta përkthente në kauzë politike paqen e arritur dhe forcimin e stabilitetin në rajon.

Ky gjithsesi se do ishte një avantazh për këtë subjekt politik, i cili konsiderohet edhe trashëgimtar kryesor i luftës së UÇK-së.

Një matje parazgjedhore e forcave politike, marrë parasysh zhvillimet rreth dialogut, do të mund të ishte edhe vetë referendumi i shumëpërfolur për marrëveshjen Kosovë-Serbi.

Por, kjo do ta vendoste në pozicion të papërshtatshëm kryeministrin Haradinaj, prandaj ky si duket ka filluar të ndërtojë strategjinë politike pikërisht mbi kundërshtimin e kësaj linjeje politike, duke e portretizuar veten si kundërshtar të madh të Serbisë dhe si të painteresuar për marrëveshje përfundimtare, me shpresë se mund të marrë vota të shqiptarëve sa më shumë.

Rol më së shumti konstruktiv në këtë mes po mban lideri i Nismës, Fatmir Limaj, i cili ka filluar ta kafshoj përbrenda PDK-në më së shumti, por nganjëherë strategjikisht edhe nga jashtë duke u shfaqur i afërt me Thaçin në publik, sidomos pas kundërshtimeve publike të Veselit, për të afruar sa më shumë simpatizantë të Thaçit kah vetja.

Ndërkaq, LDK-ja, e cila vazhdon të jetë subjekti i parë sipas sondazheve, ka filluar të pësoj rënie më të madhe muajve të fundit për shkak të fjalorit populist që kanë zgjedhur ta praktikojnë deputetët e saj.

Bazuar në sondazhet e fundit, në masë të madhe elektorati i LDK-së ka filluar të gjejë prehje tek Vetëvendosja, për shkak të retorikës së njëjtë politike dhe qëndrimeve të përafruara deklarative të deputetëve të të dyja subjekteve politike.

Kjo përkundër që mund të çonte drejt një koalicioni paszgjedhor në mes të këtyre dy subjekteve politike, ndjekja e kësaj linjeje politike me përplot populizëm e nacionalizëm do të ishte fatale për LDK-në në zgjedhje, sepse njihet si parti institucionaliste dhe shtetndërtuese.

Qasje mjaft dinake në këtë “lëmsh politik” ka filluar të ndjekë edhe Partia Socialdemokrate e Shpend Ahmetit, i cili tash kur zgjedhjet çdoherë e më shumë po afrohen, i largoi drejtorët e Vetëvendosjes, duke u shkëputur njëherë e përgjithmonë prej tyre dhe filloj të shfaqej si lojtar politik, i gatshëm për të bashkëpunuar me partitë e tjera, përfshirë këtu edhe PDK-në për shkak të nevojës që ia ka në Prishtinë.

Një qasje të ngjashme, po ashtu, po e mban edhe AKR-ja e Behgjet Pacollit, e cila po i lë vetes rrugë më shumë përmes qëndrimeve të ndryshme të liderit të saj dhe nënkryetarit Agim Bahtiri, i cili është i afërt me Lëvizjen Vetëvendosje.

Ajo që mund të thuhet për fund është se të gjithë e kanë rritur aktivitetin partiak, po luajnë dhe po kundërshtohen politikisht, si dhe në forma të ndryshme po komunikojnë me elektoratin e tyre, ndonëse as elektorati më nuk është si më parë.

Përgjithësisht elektorati është i stërlodhur dhe i pashpresë.

Dhe e lodhur edhe e pashpresë po duket edhe Lëvizja Vetëvendosje, e cila gjatë gjithë këtyre viteve ishte gjithmonë eksperimentuese në të bërit opozitë, por si duket ndarja e saj e ka dërrmuar dhe e ka dëmtuar jashtëzakonisht shumë, sidomos në pjesën operative dhe në terren. /Ballkani.info/