Sot është katër vjetori i arrestimit të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, nga ana e Dhomave të Specializuara të Kosovës nën dyshimin për krime lufte dhe kundër njerëzimit. Në katër vjetorin e arrestimit, shumë politikanë, analistë e gazetarë kanë shkruar për katër figurat që po përballen me drejtësinë në Hagë.

Megjithatë, gjatë përkujtimeve u vërejt një gjë interesante. Lëvizja Vetëvendosje ka përkujtuar vetëm Rexhep Selimin, ish-shef i grupit parlamentar, që është njëri nga ish-krerët e UÇK-së që po gjykohet në Hagë.

Tutje, delegacioni i VV-së, i kryesuar nga kryeministri Albin Kurti, e vizituan vetëm familjen e Selimit, ku i priti gruaja e “10-tshit” të luftës, Shqipe Mehmeti Selimi, që është edhe deputete e VV-së. Në shkrimin e VV-së theksohet se ata presin kthimin e Selimit në Kosovë, pa përmendur fare Thaçin, Veselin e Krasniqin.

“Sot, vizita e Kryeministrit Kurti bashkë me krerë të tjerë të institucioneve dhe të Lëvizjes VETËVENDOSJE! te familja e Rexhep Selimit, bashkëshortja e tij dhe deputetja Shqipe Mehmeti-Selimi, përforcoi edhe një herë bindjen tonë të pathyeshme: lufta e UÇK-së ishte e drejtë dhe dinjitoze. Ne do të vazhdojmë ta kundërshtojmë gjykatën e padrejtë, gjykimin e padrejtë, ashtu siç kemi bërë gjithmonë.

Si Lëvizje, si anëtarësi e si aktivistë, jemi të patundur në mbështetjen për Rexhepin dhe shpresojmë që ai të kthehet sa më parë te ne, te vendi që aq shumë e deshi dhe për të cilin kontribuoi shumë dhe pa kursyer asgjë” – ka shkruar VV-ja.