Partia e Haradinajt tregon nëse do të futeshin në koalicion me VV-në

Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, për disa here me radhë pasi Kurti i fitoi zgjedhjet, por edhe para kësaj e quajti mashtrues.

Por përkundër kësaj, Haradinaj së fundmi është deklaruar se janë të hapur për ofertat që vijnë në drejtim të AAK-së për formimin e institucioneve.

“Nëse Kurti ose Vetëvendosje do ta kishte një ide se çka mund me ndodhë më tutje, do ta shqyrtonim. Mirëpo, Kurti nuk na ka ftuar deri më tani, as për konsulta, as për kurrgjë. Nëse një palë tjetër na fton për konsultë, në rastin konkret ose LDK, ose kushdo që e merr mandatin edhe ne kishim pasë me e shqyrtu se çka do të bëjmë”, ka deklaruar Haradinaj.

Por jo të gjithë brenda AAK-së janë “pro” Haradinajt për koalicion qeverisës me Kurtin, veç nëse ky i fundit ju bën ftesë.

Teuta Haxhiu, nënkryetare në detyrë e AAK-së ka thënë se ajo personalisht është kundër që partia e saj të përfshihet në qeveri me VV-në, por thotë se çdo vendim të organeve të subjetit do ta respekton.

“Mendimi im është të mos jemi në qeveri me z.Kurti, por nuk e kundërshtoj një mendim ndryshe të organeve të partisë”, ka dekaruar Haxhiu për Reporteri.net.

Ai thotë se edhe nëse Kurti arrin ta krijoj qeverinë, ajo do të jetë e pasuksesshme.

“Mendoj se duhet ta shohin organet e partisë 100 ditët e para të qeverisë ‘Kurti’ të cilat jam e sigurt se do të ishin më të errëtat për Kosovën”, ka deklaruar ajo.

Haxhiu ka deklaruar se si subjekt ende s’kanë marrë ndonjë ofertë nga VV-ja.

“Ne si subjet nuk kemi diçka zyrtare. Mendimi im personal si nënkryetare në detyrë e AAK-së është se edhe nëse ndodh qeveria Kurti, do të jetë një zhgënjim i madh për qytetarët të cilët kanë pasur një pritje të madhe, por pritja e tyre do të dale si një balon që është thjesht i zbrazët, pra pa ndonjë rezultat për t’i çuar përpara proceset e vendit”, ka pohuar ajo.

Ajo ka thënë se si deputete që ka dalë nga zgjedhjet e 6 tetorit, është e zhgënjyer me mos formimin e qeverisë.

“Jam mëse e zhgënjyer si deputete që kam fituar mandatin dhe jo vetëm unë por të gjithë kolegët po i marrim pagat dhe nuk është se po i arsyetojmë ato, por kjo jo për fajin tonë. Buxheti shpenzohet edhe për paga, por ne veç po presim, e do të ishte mirë mos të presim, por kjo po ndodh për shkak të dështimit total të një koalicioni të shumë pritur të qytetarëve”, ka deklaruar Haxhiu.