Parlamenti i tha ‘JO’ negociatave me Shqipërinë, Ambasada e Holandës shpjegon vendimin

Ambasada e Holandës në Tiranë ka reaguar në lidhje me mocionin e votuar në parlament ku i thuhej JO hapjes së negociatave mes Shqipërisë e BE-së për këtë qershor.

Në një reagim, zyrtar, Ambasada e Holandës në Tiranë ka vënë në dukje pikërisht mungesën e hapave të ndërmarrë në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, duke theksuar se më 12 qershor (sot) parlamenti i kërkoi qeverisë që të refuzojë hapjen e negociatave.

REAGIMI:

– Politika e zgjerimit të BE bazohet në kushtëzimin e drejtë dhe rigoroz për të siguruar që reformat në vendet që aspirojnë të bashkohen me Bashkimin Europian janë të qëndrueshme dhe të pakthyeshme dhe të dhënat bazike janë të qëndrueshme.

– Holanda vlerëson dhe mirëpret hapat që ka ndërmarrë Shqipëria, veçanërisht në lidhje me reformën gjyqësore dhe procesin e vettingut. Procesi i vettingut është një proces vërtet i shquar, unik për rajonin.

– Megjithatë, ka edhe hapa, veçanërisht në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, që Shqipëria ende duhet të marrë përpara përmbushjes së kritereve të përcaktuara nga Këshilli në qershor të vitit 2018 para se negociatat e pranimit të mund të hapen. Në vazhdën e kësaj, parlamenti i Holandës më 12 qershor miratoi një mocion që i kërkoi qeverisë të mos pranonte të hapte negociata me Shqipërinë. Një vendim i Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme të 18 qershorit për të hapur negociatat e pranimit do të ishte i parakohshëm.

– Ne fuqimisht inkurajojmë qeverinë e Shqipërisë që të vazhdojë rrugën e saj. Ne e pranojmë se sa sfiduese është procesi i pranimit dhe ne do të vazhdojmë të mbështesim Shqipërinë në reformat e saj sa më shumë që mundemi, veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit.