Parlamenti i Finlandës i jep miratimin, pamjet dhe fjalët e para të Sanna Marin, kryeministres më të re në botë

Parlamenti i Finlandës ka zgjedhur Sanna Marin si kryeministren e re të vendit, duke e bërë 34-vjeçaren “kryetarin më të ri të qeverisë në botë”.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, Marin mori detyrën sot në Helsinki si kreu i një koalicioni pesëpalësh, të qendrës së majtë – së bashku me katër parti të tjera të kryesuara nga gratë – tre prej të cilave janë në fillim të viteve ’30.

Parlamenti i Eduskunta me 200 vende miratoi znj. Marin me 99-70 vota. Qeveria ka një shumicë të rehatshme prej 117 vendesh.

Ministrja e ri e Financave e Marin, Katri Kulmuni, është edhe më e ri, 32 vjeçe, dhe vetëm njëri prej partnerëve të saj të koalicionit është mbi 35 vjeç.

Marin më parë kishte shërbyer si ministër për Transport dhe Komunikim që nga qershori i këtij viti.

Udhëheqësi i mëparshëm më i ri i një shteti ishte Oleksiy Honcharuk, kryeministri aktual i Ukrainës, i cili u emërua në moshën 35 vjeç nga presidenti, Volodymyr Zelensky.

Me gjithë vëmendjen globale, Marin sot refuzoi pyetjet për vëmendjen ndërkombëtare që ajo ka marrë, pasi u emërua si “Kryeministri më i ri në botë”.

Ajo u tha gazetarëve jashtë parlamentit: “Mendimet e mia kanë qenë për gjëra praktike – dhe këtë javë, unë nuk kam ndjekur ato që shtypi kanë shkruar, brenda ose jashtë vendit”.

Në fillim të kësaj jave ajo tha: “Unë kurrë nuk kam menduar për moshën apo gjininë time, mendoj për arsyet që u futa në politikë dhe ato gjëra për të cilat kemi fituar besimin e elektoratit”.

Marin është rritur nga nëna e saj dhe e dashura e nënës së saj dhe tha se ‘familja e saj’ i tregoi asaj rëndësinë e ‘barazisë, drejtësisë dhe të drejtave të njeriut’.

Në një intervistë për vitin 2015, Marin tha se ndjehej ‘e padukshme’ si fëmijë, sepse nuk mund të fliste hapur për familjen e saj.

Ajo gjithashtu ka thënë se fëmijëria e saj ka ndikuar fuqimisht në përparësitë e saj politike, të cilat përfshijnë mbrojtjen e sistemit bujar të mirëqenies së Finlandës dhe nivele të ulëta të pabarazisë.