Parlamenti Evropian kërkon nga pesë vendet e BE-së që ta njohin Republikën e Kosovës
Parlamenti Evropian sot ka votuar rezoluta për të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor.
Ballkani.info i sjell disa prej rezultateve të votimit të këtyre rezolutave për shtetet e Ballkanit Perëndimor dhe përmbajtjen e shkurtër të tyre.
Rezoluta për Kosovën
Rezoluta për Kosovën është aprovuar në seancën plenare me 393 vota për, 139 kundër dhe 71 abstenime. Përmes kësaj rezolute është mirëpritur legjislacioni i miratuar në kuadër të Agjendës së Reformave Evropiane, por është theksuar edhe mungesa e konsensusit politik. Parlamenti Evropian me këtë rezolutë konfirmon përmbushjen e kritereve për liberalizimin e vizave dhe e fton Këshillin Evropian që të aprovoj vendimin për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës. Gjithashtu, përmes kësaj rezolute, Parlamenti Evropian i fton pesë shtetet e Bashkimit Evropian që ende nuk e kanë njohur Kosovën, që ta njohin si parakusht esencial për të lehtësuar marrëdhëniet fqinjësore me Serbinë, transmeton Ballkani.info.
Rezoluta për Shqipërinë
Rezoluta për Shqipërinë është aprovuar me 459 vota për, 112 kundër dhe 62 abstenime.
Kjo rezolutë e mirëpret punën e bërë me reformat në drejtësi, por shpreh shqetësime për korrupsionin në nivel të lartë dhe joefikasitetin në punën e sistemit të drejtësisë. Po ashtu, më të mirëpritet edhe vendimi nga Këshilli Evropian për perspektiven e hapjes së kapitujve.
Rezoluta për Serbinë
Rezoluta për Serbinë është aprovuar me 503 vota për, 85 kundër dhe 47 abstenime. Përmes kësaj rezolute, Serbia ftohet që ta njeh gjenocidin në Srebrenicë. Por, gjithashtu, përmes saj njihen edhe përpjekjet e Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, duke theksuar se shtetet etnikisht homogjene nuk duhet të jenë objektiv i rajonit. Parlamenti Evropian, përmes kësaj rezolute të aprovuar, i bënë ftesë autoriteteve serbe që ta intensifikojnë punën në sundimin e ligjit dhe në përafrimin e politikës së tyre të jashtme me atë të Bashkimit Evropian.
Rezoluta për Maqedoninë
Rezoluta për Maqedoninë është aprovuar me 470 vota për, 116 kundër dhe 46 abstenime.
Në këtë rezolutë mirëpritet përkushtimi i Qeverisë së Maqedonisë për zbatimin e marrëveshjes së Përzhinos. Aty i bëhet ftesë autoriteteve që ta intensifikojnë punën kundër shpëlarjes së parave dhe konfliktit të interesit. Po ashtu, rezoluta e mirëpret edhe vendimin e Parlamentit të Maqedonisë për të nisur procesin e ndryshimeve kushtetuese, bazuar në marrëveshjen e arritur me Greqinë.
Rezoluta për Malin e Zi
Kjo rezolutë është aprovuar me 484 vota për, 80 kundër dhe 63 abstenime. Ajo e njeh progresin e përgjithshëm drejt rrugës së anëtarësimit dhe e mirëpret ratifikimin e marrëveshjes për demarkacionin me Kosovën. Po ashtu, kjo rezolutë potencon se me vullnet më të madh politik, Mali i Zi potencialisht mund të bëhet shtet anëtar i BE-së në vitin 2025. /Ballkani.info/