Parlamenti Evropian ka bërë thirrje përsëri për vendosjen e sanksioneve kundër Presidentit të Republikës Srpska Milorad Dodik dhe “akterëve të tjerë destabilizues” në Bosnje dhe Hercegovinë, sipas rezolutës së Parlamentit Evropian për zbatimin e politikës së përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të Bashkimit Evropian në vitin 2023.

Rezoluta dënon “retorikën e përsëritur nxitëse, ligjet secesioniste dhe politikat e udhëheqjes së Republikës Srpska, duke përfshirë kremtimin e Ditës jokushtetuese të Republikës Srpska më 9 janar të këtij viti”, transmeton Ballkani.info.

Dodik është nën sanksionet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Britanisë së Madhe, por jo edhe të Bashkimit Evropian, dhe Parlamenti Evropian ka kërkuar vazhdimisht vendosjen e sanksioneve kundër tij.

Eurodeputetët mirëpritën gjithashtu vendimin e Parlamentit Evropian për të hapur negociatat e anëtarësimit me Bosnje dhe Hercegovinën, “sapo të arrihet niveli i nevojshëm i përputhshmërisë me kriteret e anëtarësimit”.

Bashkimi Evropian pret që BeH të përmbushë 14 prioritetet që i janë caktuar në mënyrë që të jetë në gjendje të hapë negociatat. Në dhjetor 2022, Bosnja dhe Hercegovina mori statusin e kandidatit për anëtarësim të plotë në BE. /Ballkani.info/

​