Parlamenti Europian miraton raportin për Kosovën, Soltes thotë se jemi afër heqjes së vizave

Komiteti i Punëve të Jashtme i Parlamentit Europian, ka votuar sot pro Raportit të Progresit të Kosovës për vitin 2018-të.

Raporti i vitit 2018 u mbështet me një shumicë dërrmuese me 42 vota për, 10 vota kundër dhe 6 abstenime.

Deputeti Igor Soltes, raportues për Kosovën i Parlamentit Europian është ndarë i kënaqur me rezultatin përfundimtar dhe komentoi pas votimit:

“Kosova është aktualisht në një pikë kyqe të heq më në fund regjimin e vizave, të dhënë nga Bashkimi Europian, i cili do t’i jepte Kosovës mundësinë që të shkonte drejt një shoqërie moderne me shpejtësinë e saj të plotë”.

Soltes më tej thekson se për të arritur këtë, nevojitet një luftë e vazhdueshme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Gjithashtu sipas tij të gjitha përpjekjet duhet të vihen në krijimin e një mjedisi të shëndetshëm biznesi, forcimin e një gjyqësori të pavarur dhe arritjen e një institucioni funksional të zbatimit të ligjit, njofton Klan Kosova.

Në fund sipas kumtesës së lëshuar Parlamenti Europian bën të ditur do të vazhdojë të jetë mbështetësi dhe aleati më i madh i Kosovës, si dhe i tërë rajoni i Ballkanit ku stabiliteti dhe zhvillimi janë me rëndësi vendimtare.