Parlamenti britanik e akuzon për krime lufte gazetarin i cili u shpall non-grata në Kosovë

Ish-shërbyesi civil britanik, Graham Phillips, që për shumë vjet e quajti veten gazetar të pavarur, po akuzohet në Parlamentin Britanik për krime lufte, pasi intervistoi një bashkëkombës të kapur nga ushtria ruse në luftën e Ukrainës. E kaluara e tij e diskutueshme e lidh edhe me Kosovën.

Graham Phillips që në vitin 2019 ishte shpallur persona non-grata në Kosovë, i ka intervistuar robërit e luftës ukrainas, të cilët janë në burgjet ruse.

Philips kishte bërë disa reportazhe në vendin tonë.

“Kosova si shtet i ri është rezultat i spastrimit etnik të serbëve”, kishte thënë ai.

Po ashtu, ai tallej me pro-amerikanizmin e qytetarëve dhe e paraqiste Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës si organizatë terroriste. Ai i kishte intervistuar edhe qytetarë të cilëve u ishte prezantuar si gazetar nga Britania e Madhe.

Graham William Phillips është i vetëshpallur si “gazetar ushtarak britanik”. Ai fillimisht u shfaq në skenën ukrainase, duke raportuar për armiqësitë e dobishme për Kremlinin, ndërkaq punonte si korrespondent për kanalet televizive ruse RT (Russia Today) dhe Zvezda. Këto dy media janë të kontrolluar nga Kremlini.

Ministria ruse e Mbrojtjes pati njoftuar publikisht se gazetarët e Zvezda konsiderohen si përfaqësues të forcave të armatosura. Pas kërkesës së shumë qytetarëve, Phillips ishte larguar edhe nga Twitteri pasi që bënte propagandë dhe shpërndante gënjeshtra si për Kosovën ashtu edhe për Ukrainën.

Kryeministri britanik, Boris Johnson, u ka thënë deputetëve se është i shqetësuar nga “mesazhet propaganduese” të Phillipsit, në intervistën me Aiden Aslin, nacionalist britanik që kaloi katër vjetët e fundit në Ukrainë dhe po shërben në forcat e armatosura të këtij shteti kundër pushtimit rus.

Deputeti Robert Jenrick shkoi edhe më tej duke thënë se intervista përbënte shkelje të konventës së Gjenevës për trajtimin e të burgosurve dhe se “intervistuesi Graham Phillips është në rrezik për ndjekje për krime lufte”.

Aslin ishte kapur nga forcat ruse teksa po mbronte qytetin e Mariupolit. Mbetet e paqartë se si u intervistua nga Phillipsi.

Duke mos mundur të veprojë në Kosovë, Phillips po punon për forcat ruse në Ukrainë që nga nisja e agresionit. Së fundmi, ai ka publikuar një video që pretendon se është nga Mariupoli, qytet në juglindje të Ukrainës që Rusia po tenton ta pushtojë më çdo kusht.

Në videon e publikuar në llogarinë e tij në YouTube, më 16 prill, Phillips shihet duke i shkuar pas një veture që mban shenjën “Z” të forcave ruse në Ukrainë. Në një pjesë të video, britaniku dëgjohet duke folur edhe në rusisht, derisa bashkëbisedon me pasagjeren e tij, që duket se është ruse. Ai në këtë video shfaq Mariupolin e shkatërruar nga forcat ruse.

https://www.youtube.com/watch?v=c4TCn-SJxoU