Parku i krenarisë së Kurtit në Shtime bëhet ”puçillë”, e merr uji menjëherë pas përurimit

Kanë kaluar vetëm katër ditë nga përurimi i një parku qindra-mijëra eurosh në Shtimen e “çliruar”, që drejtohet nga Qemajl Aliu i Vetëvendosjes. 

Për ta përuruar këtë park, të dielën në Shtimen e “Çlirimtarit” ishte edhe Albin Kurti, shkruan Demokracia.com.

Por, fatkeqësisht parku i ri në fshatin Davidovc të kësaj komune, është shndërruar në ‘pus’ ku lahen buallicat, edhe pse vlera e këtij projekti kapi shumën e 144 mijë euro.

Banorë të asaj pjesë kanë dërguar në Demokracia.com fotografi të parkut të mbuluar nga uji, si dëshmi që punimet janë kryer sa për “sy e faqe”.

Të dielën, kryeministri Albin Kurti në llogarinë e tij në Facebook tregoi se ka marrë pjesë në përurimin e këtij parku.

“Bashkë me Kryetarin, Qemajl Aliun, Shefin e Grupit Parlamentar të SPD-së në Kuvendin e Qarku Unna, Gjermani, z. Hartmut Ganzke dhe Ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, z. Jörn Rohde, përuruam këtë park në të cilin po vazhdojnë ende punimet. Për ta gjelbëruar Komunën dhe për të krijuar hapësira të përbashkëta, vlera e projektit kapë shumën e 144 mijë euro, në një siperfaqe prej 1 hektar”, shkroi Kurti.

Ai theksoi se përveç gjelbërimit e këndit të lodrave për fëmijë, parku do të ketë edhe fusha sportive, tavolina shahu, pingpongu e parking për vetura.

“Të gjitha vendimet e mëdha politike merren për të tashmen dhe për të ardhmen. E tashmja dhe e ardhmja janë fëmijët, andaj ku ka më mirë sesa në Shtime të kremtohet 33-vjetori i Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut, pikërisht me këtë park për fëmijët, ku ata do të mund të kalojnë qaste të këndshme me njëri-tjetrin. Urojmë që edhe ky park do të kthehet një vend ku shumë fëmijë dhe grupmosha të ndryshme do të kalojnë kohën e lirë dhe do të përjetojnë momente së bashku. Janë këto hapësira që e lidhin individin me vendin. Ky park është 144 mijë euro dhe ka një sipërfaqe prej 1 hektar”, tha Kurti.

“Qeveria për Komunat”, përfundoi kreu i ekzekutivit.