Parkingu me pagesë në Prishtinë, 10 policë do të dalin në terren

Kryeshefi ekzekutiv në “Prishtina Parking”, Liridon Restelica, ka njoftuar se gjatë kësaj jave, këtij projekti të komunës i shtohen 10 policë të cilët do të shihen në terren.

Ai tha se nga sot një javë në të gjitha pikat postare, qytetarët do të kenë mundësinë të regjistrohen si banorë rezidentë dhe t’i marrin ngjitëset të cilat do t’i vendosin në xhamin e veturës, njofton Klan Kosova.

“Prishtina Parking është funksionalizur 100%, aktualisht jemi duke bërë vetëm trajnim profesional të stafit për ekzekutimin në terren. Kemi bërë analiza dhe kemi vlerësuar duke marrë vendim që të shkojmë me informim edhe këtë javë sepse e kemi theksuar që nuk jemi të interesuar të bëhemi kundërshtarë me qytetarët por bashkëpunëtorë të tyre”.

“Nga sot, Prishtina Parking i bashkëngjiten 10 policë të cilët do të bëjnë punën sekondare. Ata do të shihen në terren dhe nga sot 1 javë do të fillojmë që çdo rrugë të shkojë me pagesa. Ju njoftoj se nga sot 1 javë në të gjitha pikat postare, qytetarët do të kenë mundësi të regjistrohen si banorë rezidentë dhe t’i marrin stikerat të cilat vendosen në xhamin e veturës”.

“Nga 1 marsi do të ekzekutohen rregullat në të gjitha lagjet e kryeqytetit”.

Restelica tha në “Sytë 7” se në bazë të një pyetësori që është hartuar, mbi 95% të qytetarëve e kanë mirëpritur këtë projekt.

“Prishtina Parking iu lehtëson qytetarëve rezidentë gjetjen e parkingut”, tha ai.