Parashikimi i motit për këtë javë, temperaturat pritet të shkojnë deri në 35C e 37C

Valë e nxehtësisë përfshinë vendin gjatë javës, temperatura deri në 35C e 37C, parashikon “Prishtina Weather”.

9.07.2023 – Valë e nxehtësisë përfshinë vendin gjatë javës së dytë të muajit korrik.  Do të mbretërojnë kushte të motit kryesisht me kthjellime dhe intervale më të gjata me diell.  Herë herë mund të ketë edhe vransira të pakta kalimtare.

Ditën e premte fusha jostabile depërtojnë në pjesë veriore të Ballkanit, e nuk duhet përjashtuar mundësi që orëve të mbrëmjes, ndonjë zhvillim rrebeshi shiu të arrijë edhe nga vendi ynë, patjetër i shoqëruara edhe me bubullima.

Temperaturat maksimale do të kapin vlera edhe prej 35C e 37C, lokalisht edhe 38C, ndërsa ato minimale rriten nga 12C deri 17C.  Në pjesë të vendit mund të ketë edhe netë tropike, kur temperatura minimale nuk zbret nën 20C.

Kushtet e motit të kthjellët dhe më të nxehtë nxisin rritjen e koncentrimeve të ozonit sipërfaqësor, që çojnë orëve të pasdites indeksin e cilësisë së ajrit edhe në vlera mesatare.

Indeksi i rrezeve ultravjollce do të jetë në vlera shumë të larta të rrezikshmërisë.  Preferohet që në orët e mesditës nga 10 deri 16 t’i ikim kontaktit me rreze të  diellit.

Datat:

10.07 – Nxehtë e kryesisht me diell.  Vransira të pakta kalimtare pasdite.

11.07 – Më nxehtë dhe me diell.

12.07 – Shumë nxehtë, kryesisht me diell.

13.07 – Kryesisht me diell dhe shumë nxehtë.

14.07 – Kryesisht me diell e shumë nxehtë.  Nga mbrëmja, nuk përjashtohet mundësia për ndonjë rrebesh shiu përreth zonave malore.

Era ndryshon drejtimin në jugperëndimore dhe frynë e lehtë dhe mesatare 5-10m/s, e ditën e enjte me hove edhe deri në 14m/s.

Shtypja atmosferike me tendencë të rënies rreth vlerave normale.