përfaqësuesi i estradës

Paralajmëron Afrim Muçiqi: O do t’punojmë të gjithë, o s’ka me punu askush

Përfaqësuesit e Odës së Hotelierisë dhe Turizmit të Kosovës sot ka mbajtur një takim me përfaqësuesit e sallave të dasmave, ku kanë shpalosur kërkesat e këtyre të fundit, për t’u lejuar veprimtaria e tyre.

Kryetari i OHT’së, Hysen Sogojeva, deklaroi se është takuar me të gjitha Grupet Parlamentare në Kuvendin e Kosovës ku është diskutuar rreth masave anti-Covid.

“Një që është e sigurt është se na është premtuar se nëse sallat nuk mund të mbajnë për momentin brenda, për jashtë janë të lejuara, do të thotë nëpërmjet tarracave e shatorëve. Për jashtë është e lejuar, edhe pse s’ka vendim zyrtar, po flas për procesin e negocimit. Këtu jemi tubuar të diskutojmë për sallat e dasmave. Sot kemi pasur takime me krejt kryetarët e komisioneve parlamentare të Kuvendit të Kosovës. E kemi edhe një takim që e kemi paralajmëruar me Komisionin Parlamentar për Shëndetësi. I kemi thënë të gjitha shqetësimet tona, shumica absolute e grupeve parlamentare janë të mendimit që edhe sallat e dasmave duke iu përmbajtur masave, të hapen. Me GP të Vetëvendosjes edhe aty në njëfarë forme gati veç u pajtuam që edhe kjo të shikohet e të merren masa ndaj atyre që s’i zbatojnë masat, por të lejohet kjo veprimtari”, ka deklaruar Sogojeva.

Tutje, përfaqësuesi i estradës, Afrim Muçiqi, tha se kërkesa nga e cila ky sektor nuk do të heq dorë është hapja e sallave të dasmave dhe lejimi i mbajtjes së dasmave gjatë sezonit veror.

“Kërkesa jonë decidive është që vlen edhe për dasma dhe pronarët e sallave të dasmave, nuk do të lëshojmë pe asnjë milimetër, jo standard të dyfishtë, jo të punojnë të tjerët e ne jo, o do të punojmë të gjithë, o s’ka me punu askush. Do ta respektojmë manualin që do ta miratojnë, por jo të tolerojmë më të punojnë të gjithë e vetëm ne jo”, ka deklaruar Muçiqi.

Ndryshe, në takimin e sotëm të minisrtrit të Shëndetësisë, Arben Vitia me kryetarët e komunave, është vendosur që lokalet e gastronomisë dhe qendrat tregtare të hapen nga e hëna, ndërkaq do të rishikohen edhe masat tjera për parandalimin e COVID-19.