Paralajmërohet protestë nëse vazhdon të rritet numri i veteranëve të rrejshëm

As hetimet e Prokurorisë së Shtetit, madje as ngritjet e aktakuzave nga këta të fundit nuk po e ndalin “valën” e madhe të veteranëve, që përfitojnë financiarisht nga buxheti i shtetit.

Muajin e kaluar (shtator) numri i veteranëve që kanë përfituar pensione ka arritur në 38.184, duke u rritur për rreth 1,400 vetë brenda një periudhe nëntëmujore, përkatësisht nga janari në shtator 2018. Vetëm për këtë periudhë kohore, janar –shtator 2018, mbi 57 milionë euro janë shpenzuar nga buxheti për pensionet e veteranëve.

Përndryshe, Prokuroria e Shtetit ka dyshime se në listat e veteranëve janë rreth 20 mijë veteranë të rremë, të cilët marrin pensione nga shteti.

Për fryrjen e listave të veteranëve dhe rritjen e vazhdueshme të përfituesve të pensioneve përfaqësuesit e Organizatës së Veteranëve të Luftës (OVL e UÇK-së) janë duke paralajmëruar protestë të mundshme nëse numri ka shënuar rritje.

Kryetari i kësaj organizate, Hysni Gucati, në një prononcim për gazetën “Zëri”, pas informacioneve për rritje të numrit, ka treguar se javën e ardhshme do të mbajnë një mbledhje dhe nëse vërtetohet numri i rritur do të marrin masat me organizim protestash.

“S’kam informacione të sakta a është rritur numri i veteranëve. Kemi dëgjuar përmes medieve. Por nëse vazhdon të rritet numri, kjo është shqetësuese për ne. Unë prej fillimit e kam ngritur zërin se numri është shumë i madh. Për neve nëse vazhdon të rritet numri është shqetësuese”, ka deklaruar Gucati.

Sipas Gucatit, pavarësisht përfitimeve nuk mund të njolloset lufta e ushtarëve dhe veprat e tyre.

“Realisht, punën dhe veprat e ushtarëve nuk mund t’i njollosë askush, sepse e njollos veten. Ne kemi luftuar për popullin tonë. Nëse e hetoj brenda javës që është rritur numri, të jeni të bindur që do t’i thërras të gjitha mediet dhe organizatat e veteranëve të reagojmë shumë ashpër, ndoshta do ta thërras Këshillin Drejtues edhe për ndonjë protestë”, ka shtuar më tutje ai.

Madje Prokuroria Speciale me të ngritur aktakuzën ndaj ish-krerëve të Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Veteranit deklaroi se nga pagesat e kundërligjshme deri më tani buxheti i shtetit është dëmtuar me hiç më pak se 68 milionë e 153 mijë e 14 euro.