protestë

Paralajmërohet protestë në Mitrovicë për rastin e përdhunimit të vajzës së mitur nga dy burra

Sot u raportua për sulmin seksual ndaj një vajze të mitur në Mitrovicë, me ç’rast u arrestuan dy persona të dyshuar.

E lidhur me këtë ngjarje të rëndë pati shumë reagime, e madje edhe u paralajmërua se të shtunën do mbahet një protestë në sheshin ‘Isa Boletini’ në Mitrovicë, si revoltë ndaj rasteve të përdhunimeve të cilat janë shtuar kohën e fundit në vend.

Në rrjetin social Facebook, bëhet e ditur se protesta do të fillojë në ora 12:00.

“Rastet e përdhunimit e ngacmimit seksual të vajzave dhe grave në çdo hapësirë janë rrezik për shoqërinë tonë dhe sigurinë publike. Andaj, të shtunën, duke filluar nga ora 12:00 ne mblidhemi në sheshin “Isa Boletini” në Mitrovicë për ta kundërshtuar dhe dërguar mesazhe revolte kundrejt shtypjes tonë e abuzimit të trupave tanë.”, thuhet në njoftimin e organizatores, Genta Morina.

Ndryshe, Policia e Kosovës ka bërë të ditur se me vendim të prokurorit, vajza e mitur, është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për ekzaminim mjekësor, ndërsa pas intervistimit të të dyshuarve, ndaj tyre është caktuar masa e ndalimit policor.

Njoftimi i plotë:

Sot u raportua se dy burra kanë përdhunuar një vajzë të mitur në Mitrovicë.

Ky rast veç sa është duke e treguar natyrën epidemike të përdhunimeve e abuzimeve ndaj vajzave e grave, për çka ne do të kundërshtojmë. Kjo është duke dhënë alarm mbi rrezikun dhe ankthin e vazhdueshëm në të cilin rriten dhe jetojnë vajzat dhe gratë në Kosovë. Burrat po vazhdojnë t’i dhunojnë dhe ngacmojnë vajzat kudo, duke na treguar fare mirë se për vajzat e gratë asnjë vend nuk është i sigurtë.

Në gjithë këtë situatë, institucionet private e publike, thellësisht patriarkale, janë bashkëfajtore. Praktika e amnistimit të ngacmuesve dhe përdhunuesve duhet të ndalet dhe emrat e përdhunuesve e ngacmuesve duhet të thuhen nga policia. Ne kemi të drejtë të dijmë kush janë përdhunuesit.

Rastet e përdhunimit e ngacmimit seksual të vajzave dhe grave në çdo hapësirë janë rrezik për shoqërinë tonë dhe sigurinë publike. Andaj, të shtunën, duke filluar nga ora 12:00 ne mblidhemi në sheshin “Isa Boletini” në Mitrovicë për ta kundërshtuar dhe dërguar mesazhe revolte kundrejt shtypjes tonë e abuzimit të trupave tanë.

Protestueset/it duhet t’i respektojnë udhëzimet e IKShPK-së dhe Ministrisë së Shëndetësisë për frenimin e përhapjes së COVID – 19 duke u pajisur me maska dhe mbajtur distancimin fizik.