Paralajmërohet mbledhje e përbashkët e qeverive Kosovë – Maqedoni

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, ka paralajmëruar mbledhje ndër-qeveritare mes Kosovës dhe Maqedonisë.

Ai ka thënë se kjo do të ndodhë posa të krijohen kushtet epidemiologjike.

Të njëjtën e ka konfirmuar edhe kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, i cili ka thënë se sapo të krijohen kushtet do të mblidhen për të identifikuar mundësitë për arritjen e marrëveshjeve të reja mes dy vendeve.

“Është bë punë e mirë në organizimin e mbledhjes së përbashkët të dy qeverive tona. Presim që sapo të krijohen kushtet të organizojmë mbledhje të përbashkët që të rishikojmë marrëveshjet që janë nënshkru deri tash dhe do identifikojmë mundësi tjera për marrëveshje të reja”, tha ai, gjatë konferencës së përbashkët me Zaevin në Shkup.

Hoti tha se e mirëpret idenë për ndërtimin e pikës së përbashkët të kalimit kufitar dhe lidhjes së Prishtinës me Shkupin.

Ai tha se bashkëpunimi mes dy shteteve nuk kufizohet vetëm tek “vlera e importit dhe eksportit por tejkalon edhe në fushën e shërbimeve”, duke shtuar se pret që Samiti i Sofjes ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë të jetë sukses për rajonin.

E, Zaev dha mbështetje në procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. Ai tha se “përkrah çdo zgjidhje që garanton dhe përforcon paqen në rajon dhe garanton ardhmëri për qytetarët”.

Për Maqedoninë e Veriut, Zaev tha se Kosova është nga partnerët tregtar më të rëndësishëm, teksa shtoi se avancimi i marrëdhënieve të shteteve sjellë perspektivë për rajonin.