Paralajmërohen protesta të mëdha në Shkup

Opozita në Maqedoninë e Veriut, VMRO-DPMNE bën me dije se ka gjasa të organizojnë demonstrata, protesta, marshe si dhe bllokim të rrugëve dhe të Kuvendit për shkak të rastit korruptiv “Reket”.

Sekretari i përgjithshëm i VMRO-së, Igor Janushev, në një intervistë për Radion Evropën e Lirë, që do të emitohet të dielën, thotë se asnjë ide apo mënyrë e veprimit nuk është përjashtuar, dhe se qëllimi është të rrëzohet qeveria dhe të mbahen zgjedhje të reja parlamentare.

“Padyshim që organet më të larta të partisë, përfshi këtu edhe Komitetin ekzekutive dhe atë qendrorë do të ulen në periudhën në vazhdim dhe do të vendosin se cila është mënyra më e mirë e veprimit, me qëllim që përfundimisht të largohet sa më shpejt të jetë e mundur kjo qeveri kriminalo-zhvatëse”, thotë Janushev.

“Çdo shtet ka mafia, por te ne mafia ka shtet”

“Çdo shtet ka mafia, por te ne mafia ka shtet”, kështu u shpreh mes tjerash në konferencën e sotme për shtyp kreu i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski për të shtuar se vendi aktualisht është në një situatë kur kryeministri po mbron kriminalitetin.

“Institucionet dhe kryeministri Zaev nuk mund ta zgjidhin këtë krim, për shkak se edhe vet janë të përfshirë në të.

Njerëzit që janë të përfshire në rastin Reket janë njerëz të afërt të Zaevit.

Këtu është e përfshirë edhe Prokurorja Speciale, Katica Janeva. Fjalët e saj që dëgjohen në incizim janë “mos u shqetëso, krejt do jetë në rregull”, tha Mickoski.

Mickoski pyeti se pse Katica Janeva nuk është në paraburgim, kur ajo mund të largohet nga vendi dhe mund të ndikojë tek dëshmitarët.

Përndryshe, në lëndën për zhvatjen të dyshuar janë dy persona, Bojan Jovanovski i njohur me nofkën “Boki 13”dhe Zoran Milevski i njohur si Zoki Kiçeec se kanë zhvatur biznesmenë nëpërmjet shefes së PSP-së në dorëheqje, Katica Janeva.

Dyshimet e prokurorisë janë se ata kanë marrë 1,5 milionë euro nga biznesmeni Orce Kamçev për tia lehtësuar procedurën hetimore për pastrim parash, ndërsa duhej të merrnin edhe 4,5 milion euro të tjera.

loading…