Paralajmërohen masa shtesë sigurie afër lumenjve dhe liqeneve në Mitrovicë

Drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim i Komunës së Mitrovicës, Nehat Bahtiri, dhe zyrtarë komunalë bashkë me Policinë e Kosovës, kanë vizituar sot disa zona të lumenjve dhe liqeneve të cilat mund të paraqesin rrezik për qytetarët, tani gjatë stinës së verës.

Ata kanë vlerësuar se zonat me te rrezikuara janë përgjatë liqenit artificial, prandaj kërkojnë të shtohet numri i shenjave të rrezikut dhe paralajmërimi për vizitorët me anë të shenjëzimeve dhe segmentet për thellësinë, rrymat e valës së ujit si dhe rreziqet e tjera të mundshme.

Po ashtu, është kërkuar të bëhet edhe vendosja e pengesave (barrierave në afërsi të digave) nga fakti se vrulli i ujit paraqet rrezik kryesisht për fëmijë.

Me këtë rast, shefi i sektorit për Siguri dhe Emergjenca, Bahtir Maxhuni, tha se këto objektiva parashihen të ndërmerren bazuar në planin e veprimit, me qëllim të krijimit të një ambienti të qetë dhe të sigurt në zonat e lumenjve, dhe liqenit artificial, të cilat po frekuentohen nga një numër i madh i qytetarëve.

Përfaqësuesit komunalë kanë shprehur gatishmërinë për të bashkërenduar aktivitetet në krijimin e kushteve dhe sigurisë, si dhe u zotuan se brenda mundësive do të ndërmarrin masat e parapara në plotësim të shenjave dhe barrierave.