lajmi i fundit

Paralajmërohen edhe disa dorëheqje nga serbët e Kosovës

Kryetari i komunës së Shtërpcës, Dalibor Jevtiq ka thënë se ekziston mundësia që edhe serbët në jug të Ibrit të largohen nga institucionet e Kosovës.

Duke e kritikuar kryeministrin Albin Kurti, Jevtiq ka thënë se ai i interpreton ligjet në mënyrën që i përshtatet.

“Situata në Kosovë që nga ardhja e Kurtit në pushtet po vështirësohet çdo ditë e më shumë për sa i përket jetës dhe pozitës së serbëve. Gjithçka që ka ndodhur së fundmi dëshmon se ndërkombëtarët nuk po e bëjnë punën siç duhet, para së gjithash as qetësimin e tensioneve”, ka thënë Jevtiq për “Tanjug”.

Sipas tij, injorimi i së drejtës kushtetuese që garanton përfaqësimin e serëbe në institucionet e nivelit qëndror po i shtynë ata të largohen nga pozitat edhe në jug të Kosovës.

Jevtiq ka shtuar se serbët janë të zhgënjyer për shkak të heshtjes së bashkësisë ndërkombëtare për gjithçka që po bën Kurti.