Paralajmërohen dënime për bizneset që shkelin masat për sigurinë e qytetarëve

Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu ka paralajmëruar dënime për bizneset dhe kompanitë, të cilat nuk po respektojnë pika të caktuara të vendimit për masa të sigurisë së qytetarëve, duke i detyruar të marrin pushim në kuadër të pushimit të rregullt vjetor.

Ajo përmes një postimi në Facebook paralajmëron se masat për sigurinë e qytetarëve për shkak të rrezikut nga pandemia COVID – 19 janë të detyrueshme për të gjithë.

“Megjithatë lidhur me pikat që lidhen me marrëdhënien e punës, ende ka biznese, kompani që nuk po respektojnë pika të caktuara të vendimit e sidomos sipas informacioneve që i kam, po i detyrojnë të marrin pushim në kuadër të pushimit të rregullt vjetor. Kjo është shkelje e vendimeve të Qeverisë. Kjo është e dënueshme dhe penalizohet pasi rrethanat e tilla nuk duhet të keqpërdoren nga askush”, shkruan Haxhiu.

Haxhiu kërkon nga të gjitha palët që konsiderojnë që po u shkelen të drejtat nga Marrëdhënia e Punës, por edhe Siguria dhe Shëndeti në Punë dhe që afektohen nga vendimet e Qeverisë së Kosovës, t’i drejtohen Inspektoratit të Punës përmes numrit pa pagesë 0800 77 5 77, apo në e-mail zyrtar: [email protected].’

“Unë do të raportoj secilën shkelje që vjen në adresën time”, porosit Haxhiu.