Rashkë

Para zgjedhjeve Petkoviq u premton serbëve të Kosovës, para, punësime e investime

Sot në Rashkë është mbajtur takimi i Petar Petkoviqit me përfaqësuesit politikë dhe të institucioneve ilegale të serbëve të Kosovës. Ata kanë folur për, siç pretendohet, “ndalimin e Prishtinës” për organizimin e votimit në Kosovë në zgjedhjet e përgjithshme të Serbisë.

Temë e bisedës, siç pretendohet në kumtesën e zyrës së Petkoviqit, ka qenë “gjendja politike dhe e sigurisë në Kosovë”, si dhe domosdoshmëria për të “ruajtur paqen dhe stabilitetin për hir të mbijetesës së “popullit serb” në Kosovë”, transmeton Paparaci.

Në veçanti, sipas kësaj propagande, kanë biseduar për “situatën dhe pozitën e vështirë të serbëve” në veri dhe në jug të Ibrit si dhe “rrezikimin e të drejtave të tyre themelore të njeriut”, si rezultat i “dhunës institucionale, persekutimit dhe veprimeve të shumta përshkallëzuese të iniciuara nga Albin Kurti dhe autoritetet e Prishtinës çdo ditë”.

Në të njëjtën kohë, ata theksojnë se përfaqësuesit e serbëve i kanë përcjellë Petkoviqit se “është e rëndësishme t’i mundësohet popullit serb të ushtrojë të drejtën e votës”.

Në këtë takim u premtua edhe ndihma financiare, vendet të punës, si dhe “investime të tjera të rëndësishme nga shteti i Serbisë në Kosovë”, por se “përpjekjet e Prishtinës për të ndaluar projektet infrastrukturore dhe banesore, si dhe lloje të ndryshme të ndihmës sociale të destinuara për popullatën më të cenueshme, po e vështirësojnë këtë”, pretendon kjo zyre.