Para Kurtit, dy senatorët amerikanë e takojnë Vjosa Osmanin

Senatorët amerikanë Chris Murphy dhe Gary Peters sot do të priten në takim, fillimisht nga presidentja Osmani, pastaj edhe nga kryeministri Kurti.

Murphy dhe Peters me Osmanin do të takohen në orën 13:15, ndërsa me Kurtin në orën 15:00.

Ndryshe, Kurti kishte zhvilluar një bisedë telefonike me senatorin amerikan Chris Murphy, të premten e 3 marsit.

Përmes një postimi në Twitter, kryeministri Kurti kishte njoftuar se në këtë takim është diskutuar për marrëdhëniet miqësore mes vendeve.

Pjesë e diskutimeve të këtij takimi ishte edhe normalizimi i marrëdhënieve në mes të Serbisë dhe Kosovës.

“Pata një telefonatë produktive këtë pasdite me senatorin amerikan duke diskutuar marrëdhëniet tona miqësore, marrëveshjen e normalizimit me Serbinë dhe njohjen e djeshme të Kosovës si vendi nr.1 i renditur në BB6 në Indeksin e Demokracisë Zgjedhore 2023”, kishte shkruar Kurti.

Po ashtu, Kurti ishte takuar me senatorin Gary Peters dhe kongresistin Andy Levin, në kuadër të vizitës zyrtare në Miçigan të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Kurti kishte shprehur falënderimin dhe mirënjohjen për ndihmën dhe përkrahjen nga Kongresi dhe Senati Amerikan, për çështjen e Kosovës dhe për kontributin e pakursyer të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për pavarësinë dhe shtetndërtimin e Kosovës.

Ai kishte potencuar progresin e shënuar përgjatë qeverisjes njëvjeçare, duke theksuar punën e institucioneve në avancimin e kauzës së dyfishtë të krijimit të vendeve të punës dhe drejtësisë.