Para dy javësh ishte në Kosovë, nga sot është njeriu kryesor i ushtrisë në Amerikë

Njëriu që tash është Sekretar i Mbrojtjes në SHBA, dy javë më parë e kishte vizituar Kosovën dhe kishte shprehur përkrahje për FSK’në.

Presidenti amerikan Donald Trump njoftoi të martën se Mark Esper është zgjedhur Sekretar i Mbrojtjes në detyrë, pas largimit të Patrick Shanahan nga kjo pozitës.

Esper dy javë më parë e ka vizituar Kosovën, e për këtë kishte njoftuar ambasadori amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett, shkruan Gazeta Express.

Me 3 qershor Kosnett kishte shkruar se me Esper që gjendej në Kosovë ka biseduar për përkrahjen që ushtria amerikane ka ndaj Ministrisë së Mbrojtjes së Kosovës dhe Forcave të Sigurisë.

“I kënaqur ta kem në vizitë në Kosovë sekretarin e ushtrisë, Mark Esper. Diskutuam për angazhimin e Ushtrisë Amerikane për siguri dhe stabilitet në Kosovë përmes përkrahjes të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK’së dhe po ashtu duke vazhduar ta përkrahim aktivitetin e KFOR’it për paqe”, ka shkruar Kosnett në Tëitter.

SHBA nuk ka emëruar sekretar të Mbrojtjes që nga koha e largimit të James Mattisit.

Mattis, sipas kryeministrit Ramush Haradinaj, ishte njeriu kyc që përkrahu transformimin e FSK’së në ushtri përmes ndryshimit të ligjeve, që i bie, pa përkrahjen e përfaqësuesve serbë. Deri në miratimin e Mattisit, SHBA kundërshtonte formimin e ushtrisë pa përkrahjen e Listës Srpska.

Ushtrues detyre deri tash ishte Patrick Shanahan, i cili u tërhoq nga procesi i konfirmimit për postin e Sekretarit të Mbrojtjes, duke thënë se donte të shpenzonte më shumë kohë me familjen e tij.

Trump tha se sekretari i ushtrisë Mark Esper do ta zëvendësojë zotin Shanahan si Sekretar i Mbrojtjes në detyrë.