Papa bën thirrje që të gjithë të kenë qasje në vaksina

Papa Françesku u ka bërë thirrje udhëheqësve botërorë që të sigurojnë qasje të pakufizuar në vaksinat kundër koronavirusit për të gjithë.

Gjatë fjalimit të Ditës së Krishtlindjeve, të cilin Papa e dha për herë të parë përmes internetit, ai paralajmëroi kundër ndërtimit të “mureve” për trajtimin e të prekurve nga pandemia.

Paralajmërimi i Papa Françeskut vjen pas shqetësimeve se shtetet e pasura janë duke blerë numër joproporcional të dozave të vaksinës në dëm të vendeve më të varfra, shkruan BBC.

“Përballë një sfide që nuk njeh kufi, ne s’mund të ndërtojmë mure. Të gjithë jemi në barkën e njëjtë”, tha Papa Françesku, duke shtuar se efektet e krizës shëndetësore dëshmojnë se nevoja për unitet global është më e madhe se kurrë më parë.

“Në këtë moment të historisë, të shënuar nga kriza ekologjike, mungesa e madhe e baraspeshimit ekonomik dhe social, që vetëm sa është përkeqësuar nga pandemia e koronavirusit, është më e rëndësishme për ne që ta njohim njëri-tjetrin si vëllezër e motra”, shtoi ai.

Ai përmendi raste të veçanta të krizave, duke bërë thirrje për paqe dhe pajtim në Siri, Jemen, Libi, Nagorno-Karabak, Sudan Jugor, Nigeri, Kamerun dhe Irak.

Papa ka planifikuar që në mars të vitit të ardhshëm ta vizitojë Irakun. Kjo do të ishte vizita e parë e një pape në shtetin me shumicë myslimane.