Panxha: Kosova ka produkte më shumë se që mendojmë e më pak se që i duhet rajonit e Evropës

Astrit Panxha nga Klubi i Prodhuesve të Kosovës ka thënë se Kosova ka produkte më shumë se që mendojnë vet qytetarët dhe ka më pak se që ka nevojë rajoni dhe Evropa.

Sipas tij, Kosova ka produkte tejet të mira nga cilësia, por edhe nga çmimi i krahasueshëm me produktet e rajonit.

“Kosova ka më shumë se që mendojmë se ka e ka më pak se që i nevojitet regjionit e Evropës. Në Kosovë ka produkte si nga cilësia të mirë e nga çmimi të krahasueshëm me produktet e rajonit. Duhet të mburremi me prodhimin tonë. Ne prodhojmë qumësht të mirë, vaj të mirë, ujë të mirë, lëngje. Kemi edhe produkte industriale si për paketim e të tjera”, ka thënë ai në Interaktiv të KTV-së.

Duke folur për taksën ndaj mallrave serbe, Panxha ka thënë se Serbia ka pushtuar lehtë tregun në Kosovë pasi kishte shitur produkte me çmime të subvencionuara nga Serbia.

“U krijua një kulturë ku u krijua një perceptim se Kosova s’mundet pa produktet e Serbisë. Prodhuesit e Kosovës që vendosnin të themelonin fabrika e patën të vështirë të konkurronin me fabrika me përvojë e fuqi në Serbi. Shumë produkte prej Serbisë vinin me çmime të subvencionuara në Kosovë. Një bllok shitej më shtrenjtë në Serbi se në Kosovë, me qëllimin që Kosova të mos ketë pavarësi ekonomike e të jetë e varur nga Serbia”, ka thënë më tej ai.

Sipas Panxhës, Serbia s’ka lejuar eksportimin e mallrave të Kosovës e as që të shërbejë si rrugë për t’i eksportuar diku tjetër ato. “Serbia i donte eurot tona, por bizneset tona në asnjë mënyrë”, ka thënë Panxha.

Taksën ka thënë se e sheh pozitive edhe pse ka shtuar se akoma nuk e di efektin e plotë.

“Kur u mor vendimi, si klub e kemi përkrah edhe pse në periudha afatshkurtre disa prodhues për lëndë të parë, me bazë në Serbi, kanë pas humbje. Jemi pajtuar të mos ketë ngritje të çmimeve e do të bëjmë çmos të mos mbetet tregu pa produkte të Kosovës. Është ende herët të themi për efektin e taksës sepse s’kemi pasqyrë të plotë. Efekti i taksës është pozitiv, por s’e dimë akoma sa. Na duhet së paku 9 muaj deri një vit të shohim efektet në ekonomi, por të them nga dora e parë që kemi anëtarë që kanë nisur punën në ndërrimin e tretë, në prodhimin e letrës, vajit, ndërtimtarisë shumë sektorë. Ka industri që ne s’i shohim, por biznesi punon me tjetrin. Sektori i paketimit që ka pasur probleme, sot po lulëzon. Çdo kompani kur shton turin e dytë apo të tretë rrit numrin e punëtorëve. Ka kompani që ka marrë 30-40 punëtorë. Tash të shohim sezonin e ndërtimit. Nëse mbetet taksa tek në shtator-tetor mund të shohim efektet”, ka shtuar Panxha.