Analisti

Pano: Gabim të bisedohet për shkëmbim territoresh në këtë kohë

Analisti i politikës në Ballkan dhe veprimtari shqiptaro-amerikan, Nicholas Pano ka deklaruar se bisedimet për ndryshim të territoreve në këtë kohë nuk janë në interes të Kosovës dhe as Serbisë, pasi të dyja vendet kanë probleme të brendshme, derisa ka shtuar se politika amerikane është me pohime kontradiktore rreth kësaj çështje.

Profesor Pano ka thënë se nuk është koha e duhur për të diskutuar për ndryshim të territorit.

“Kjo është një çështje shumë komplekse dhe sipas mendimit tim, do të jetë gabim të shkëmbehen territore midis Kosovës dhe Serbisë në këtë kohë tani të tensionuar me disa të probleme të brendshme në Kosovë dhe probleme të brendshme të Serbisë. Të mundohen të rregullojnë marrëdhëniet diplomatike, të normalozojnë marrëdhëniet ekonomike dhe pastaj të presin të shikojnë si do të jetë çështja dy apo tre vjet më pas. Por koha nuk është korrekt tani për ndryshim të territorit”, ka thënë ai.

Ai ka shtuar se tani nuk është në interes as për Kosovën dhe as në interes të Serbisë, që të bisedohet për çështjen e territorit. Ndërsa, komentoi edhe qëndrimin e politikës amerikane për shkëmbim territoresh.

“Siç i shikoj gjërat, ata kanë patur pohime kontradiktore, ka njerëz brenda qeverisë që janë ashtu PRO, ose më shumë le ta bëjnë vendimin serbët dhe kosovarët Neve nuk kemi interes. Janë interesa tjera, janë zëra të tjerë në qeveri, në Kongresin që thonë JO! Tani nuk është koha. Dhe janë ca që kanë frikë, se meqenëse bëhet një ndryshim i territorit, pastaj hapen çështje të tjera territoriale. Ata thonë leri këto punë tani, ajo që është me rëndësi më të madhe në Ballkan është stabiliteti i rajonit”, ka thënë Pano.

Pano ka folur edhe për zhvillimet e deritashme në Kosovë, me të cilat është shprehur i zhgënjyer.

Sipas tij, shqiptarët në Ballkan duhet të bashkëpunojnë më afër në çështje ekonomike, çështje kulturore, edhe ca çështje politike. /AA Vision/