Pandemia shtyn në varfëri gjysmë miliard njerëz

Shpenzimet shëndetësore kanë shtyrë më shumë se gjysmë miliardë njerëz në mbarë botën në varfëri ekstreme gjatë kulmit të pandemisë COVID-19, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe Bankës Botërore.

Pandemia ndërpreu shërbimet shëndetësore në nivel global dhe shkaktoi krizën më të keqe ekonomike që nga vitet 1930, duke e bërë edhe më të vështirë për njerëzit të paguajnë për kujdesin shëndetësor, thuhet në një deklaratë të përbashkët nga të dy organizatat të dielën.

“Të gjitha qeveritë duhet të përshpejtojnë përpjekjet për të siguruar që çdo qytetar i tyre të ketë akses në shërbimet shëndetësore pa frikë nga pasojat financiare”, tha Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus.

Ndërkohë, sipas një raporti të publikuar të enjten nga Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Fëmijët (UNICEF), 100 milionë fëmijë të tjerë vlerësohet se tani jetojnë në varfëri  për shkak të pandemisë, një rritje prej 10 për qind që nga viti 2019.