Panairi në Prishtinë, taksa ndaj Serbisë rrit shitjen e prodhimeve

Në Prishtinë ka filluar festa për 11-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës dhe në mesin e shumë aktiviteteve që po zhvillohen sot është edhe hapja e panairit të prodhimeve vendore në sheshin “Adem Jashari” në kryeqytet, ku prodhues nga vende të ndryshme të Kosovës kanë dalë për t’i promovuar produktet e tyre.

Prodhuesit kosovarë thonë se panairet janë mundësi e mirë për promovimin dhe shitjen e produkteve të tyre.

Por, ata shprehen të pakënaqur me vendin ku po mbahet panairi, meqë sipas tyre, sheshet kryesore në Prishtinë kanë më shumë qarkullim dhe aty do të ishte më mirë të vendoseshin me produktet e tyre.

Afërdita Murati që merret me kultivimin dhe përpunimin e frutave të imëta, ka ardhur nga Podujeva që të ekspozojë produktet e saj. Murati tregon që vetëm të kultivosh dhe të dërgosh frutat e imëta nëpër pika grumbulluese, nuk ia vlen, andaj panairet janë një mundës e mirë për të.

Ndërsa Sami Islami, bletar, thotë se që nga vënia e taksës 100% për produktet serbe, është vërejtur rritje e shitjes së produkteve vendore. E për Shehide Restelicën, ky është viti i katërt që merr pjesë në panaire të tilla.

Ndërsa, Raza Demolli që merret me pemë dhe perime, thotë se kanë nevojë që të marrin pjesë më shpesh në panaire.

Ndryshe, panairi i produkteve vendore në sheshin “Adem Jashari” në Prishtinë do të qëndrojë i hapur deri nesër. Panairi vjen në kuadër të organizimeve të shumta që ka bërë shteti i Kosovës për të shënuar 11-vjetorin e Pavarësisë