Jeff Bezos,

Pamjet/ Flying fox, jahti i miliarderëve po blen naftë pa taksa në portin e Sarandës

Flying fox është jahti i miliarderit Jeff Bezos, një nga njerëzit më të pasur në botë dhe me fitime marramëndëse brenda një dite. Kështu pretendojnë mediat italiane, ndërsa asnjëherë nuk është pranuar zyrtarisht.

Jahti 500 milionë dollarësh ka udhëtuar dy ditët e fundit nga Sicilia drejt portit të Sarandës. Është ankoruar në fillim në gjirin e Sarandës e më pas në port ku ndodhet ende. Anija luksoze me të cilën udhëtojnë më të pasurit e botës, në Shqipëri ka ardhur për të blerë naftë me çmim të lirë, për të kryer shërbime pastrimi dhe për të depozituar mbeturinat.

Këtë të mërkurë nga jahti u shkarkuan plehrat, dhe anija luksoze është në pritje të autoboteve që do e furnizojnë me karburant. Shqipëria ka hequr taksat për jahtet dhe të huajt që udhëtojnë në Mesdhe, Jon dhe Adriatik mund të furnizohen duke blerë naftë me çmim deri në 58 lekë për një litër. Nëse do furnizohej në Sicili aty ku jahti ndodhej dy ditë më parë do e blinte naftën me 1.72 dollarë ose 189 lekë litrin.

Çmimi i ulët i naftës ka bërë që në portin e Sarandës të shfaqen shpesh jahte miliarderësh. Pak kohë më parë ishte jahti 400 milionë dollarësh i Emirit të Katarit Tamim bin Hamad Al Thani, jahti i të cilit e ka kapacitetin e serbatorit 1.2 milionë litra karburant. Dhelpra fluturuese ka një kapacitet prej 682,500 litra.