Pamjet e rralla tregojnë balenën gungaçe që mbron zhytësen nga peshkaqeni

Biologia 65 vjeçare Nan Hauser punon prej kohësh për mbrojtjen e balenave, por nuk i kishte ndodhur më parë që teksa notonte me një balenë gungaçe pranë ishujve Cook në Paqësor, kafsha gjigante ta shpëtonte nga një peshkaqen rreth 6 metra i gjatë.

Megjithse Hauser u tremb nga episodi, ajo arriti të xhironte pamje nga incidenti.

Vetëm pasi shihte videon ajo e kuptoi se balena 25 tonëshe po e mbronte atë nga një sulm mundësisht vrastar i peshkaqenit.

Hauser tha: “Kam rreth 28 vjet që punoj në mbrojtjen e balenave, dhe në atë moment as nuk e kuptova që ato po më mbronin.”

Rrjeti The Independent shkruan se Hauser po notonte me balenën gungaçe kur papritur kafsha e mbajti nën krahun e saj dhe nisi ta shtynte përpara me hundë e me turi.

“Nuk isha e sigurtë se çfarë po bënte kur m’u afrua dhe nisi të më shtynte për rreth 10 minuta, madje mora disa gërvishtje. Nuk kisha parë kurrë balenë kaq insistuese duke më shtyrë e duke më mbajtur nën krahun e saj”.

Teksa ishte në ujë, Hauser pa një balenë që po luftonte të largonte diçka, dhe më vonë e kuptoi se ishte një predator gjigant, një peshkaqen tigër 6 metra i gjatë.

Hauser për fat shpëtoi e palënduar por thotë se nuk kishte dëshmuar kurë një sjellje të tillë.