Pamje: Zjarre të shumta në lindje të Rusisë, qyteti mbulohet me tym

Zjarre të mëdha po vazhdojnë të përhapen në pjesën lindore të Rusisë. Numri më i madh i tyre është raportuar në rajonin Yakutia të Siberisë.

Agjencia për mbrojtjen e pyjeve tha të premten se rreth 160 zjarre në pyje, të cilat kanë përfshirë një sipërfaqe prej 4.400 kilometra katror, janë aktive në rajonin e izoluar, Yakutia, shkruan Free Europe.

Autoritetet ruse që disa ditë e kanë shpallur gjendjen emergjente në këtë zonë. Përmes pamjeve me dron, të publikuara nga një faqe lokale e lajmeve, shihet kryeqyteti rajonal, Yakutsk, i mbështjellë me tym të dendur.

Sipas një vëzhguesi, cilësia e ajrit në këtë qytet është 181, nivel që cilësohet i pashëndetshëm për njeriun. Shërbimi i pyjeve tha se nuk ka rrezik për vendbanime apo objekte ekonomike për shkak se rajoni është i izoluar.

Megjithatë, mediet lokale raportuan se zjarret janë afër disa fshatrave dhe se flakët kanë bllokuar disa rrugë.

Sipas autoriteteve, aktialisht në tërë Rusinë janë 336 zjarre aktive në pyje, në një sipërfaqe prej 5.200 kilometrash katror.