Pamje: Ushtria ukrainase ushtron me armët e reja britanike

Trupat ukrainase të premten ushtruan duke i shkrepur armët anti-tank, të cilat ua ka dhuruar Britania e Madhe si pjesë e përpjekjeve të Perëndimit për ta ndihmuar Ukrainën që ta mbrojë veten nga pushtimi i mundshëm rus.

“Mjafton që të qëllohet me të një herë dhe të shkatërrohet tërësisht automjeti i armikut”, tha ushtari Zinovy Luzhansky gjatë ushtrimeve që po i zhvillonte në perëndim të Ukrainës, shkruan Reuters.

“Do të jetë shumë më lehtë për të luftuar kundër Federatës Ruse, sepse kjo armë mund të shkatërrojë lehtësisht çfarëdo lloji të pajisjes së blinduar ushtarake të armikut”, shtoi ai.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy, të premten nuk e përjashtoi luftën e hapur me Rusinë, por i akuzoi Uashingtonin dhe mediet për nxitjen e panikut, që e ka rënduar ekonominë përderisa nuk ka “tanke në rrugë”, shkruan Reuters.

Ai foli pasi homologu i tij rus, Vladimir Putin, tha se Shtetet e Bashkuara dhe NATO-ja nuk i kanë adresuar kërkesat kryesore të Kremlinit për sigurinë, por se Moska është e gatshme t’i vazhdojë bisedimet.