Pamje të reja nga përleshja e LDK-së në Mitrovicë, shihni si largohet Avdullah Hoti (VIDEO)

Avdullah Hoti ka gënjyer publikisht kur ka thënë se s’ishte pjesë e Kuvendit Zgjedhor të një Nëndegë të LDK’së në Mitrovicë.

Në pamjet e siguruara, Hoti shihet duke dalur nga salla menjëherë pas përleshjes.

Ndërkohë, Hoti, ka thënë në dy reagime në Fb, se ka qenë vetëm në fillim të Kuvendit të Nëndegës kryesore të LDK’së në Mitrovicë. Ka thënë se në momentin e përleshjes mes anëtarëve të kësaj partie nuk ka qenë prezentë pavarësisht deklaratave të Kryetarit të Degës së Mitrovicës, Safet Kamberaj, i cili konfirmoi se Hoti ishte mbikëqyrës në këtë degë.

“Unë kam qenë vetëm në hapje të Kuvendit, mandej jam larguar”, ka shkruar Hoti, në një reagim të dytë pasi tha se s’ka qenë prezentë sot në Kuvendin e Degës së LDK’së në Mitrovicë.

“Sqarim: une nuk kam qene prezent ne ngjarjen qe po raportohet si perleshje ne kuvendin e nje nendege ne Mitrovice. Per te gjitha detajet, Kryesia e Deges se LDK-se ne Mitrovice do te njoftoje opinionin me nje deklatate publike”, ka shkruar Hoti, në një reagim në Fb.

Por, Kryetari i Degës së LDK’së, Safet Kamberi, ka konfirmuar se Avdullah Hoti ishte pjesë e Kuvendit ku pati rrahje në Mitrovicë.

“Me z. Haki kemi monitoruar kuvendin zgjedhor Ilirida, ku kemi konstatuar se nuk ka pasur kushte për të vazhduar punën sepse ka pasur persona të partive të tjera dhe ka pasur parregullsi gjatë punimeve. Në kuvendin në qendër, ku ka qenë prezent z. Hoti, ku gjatë punimeve të kuvendit ka pasur përleshje fizike ndërmjet disa personave dashakeq të Lidhjes Demokratike e Kosovës. Policia ka qenë e pranishme në vendngjarje”, ka thënë Kamberi, në një përgjigje për Kallxo.com.

Ndryshe, në këtë Nëndegë të LDK’së ka pasuar edhe një polic, i cili është lënduar.

Burime të Express kanë treguar se përleshja ndërmjet simpatizantëve të LDK’së ka ndodhur për shkak të ndarjeve që janë ndërmjet grupit të Faton Pecit dhe atij të Safet Kamberi.